Sport

Roma, një hap larg mesfushorit të Monchengladbach-ut


Skuadra italiane e Romës po kërkon të forcojë mesfushën.

Dëshira e klubit dhe e trajnerit Jose Mourinho ishte Granit Xhaka, por shqiptaro-zvicerani në fund vendosi të qëndronte tek Arsenal-i.

Sipas gazetarit sportiv Fabrizio Romano, Roma tashmë ka hedhur sytë nga një tjetër lojtar të Kombëtares së Zvicrës.

Bëhet fjalë për Danis Zakaria-n, mesfushorin e Borussia Monchengladbach-ut.

Zakaria është në vitin e fundit të kontratës në “Borussia-Park” dhe ende nuk duken shenja rinovimi në sfond.

Mesfushorin e kërkon edhe ish-trajneri i tij, Marco Rose, i cili tashmë drejton skuadrën e Borussia Dortmund-it.

Duke qenë se për lojtarin ka interes nga disa klube, Roma po përpiqet të fillojë sa më shpejt negociatat me 24-vjeçarin dhe klubin.

Synimi i romakëve është që ta sjellin në “Olimpico” që në janar zviceranin.

Në këtë mënyrë do të përfitonte një shumë parash edhe Monchangladbach-u, përpara se ta humbasi me kosot zero në verën e ardhshme.

Në sezonin aktual, Zakaria është aktivizuar në pesë ndeshje në Bundesliga, ku ka regjistruar dy gola dhe një asist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore