Lajme

‘Robinson Kruzoja i Italisë’ përshtatet me jetën jashtë ishullit


Çdo mëngjes, Mauro Morandi zgjohej me pamjen e detit. “I zhytur” në natyrë, ai ishte në një lidhje intime me tingujt dhe “zgjimin” me kafshët e egra që rrethonin shtëpinë e tij.

Ishte një ish-strehë e Luftës së Dytë Botërore në Budelli, ishulli Mesdhetar, ku ai kishte jetuar vetëm, për më shumë se 30 vjet.

Tani 82-vjeçari po përshtatet me jetën në një apartament me një dhomë gjumi pranë një dyqani. Përballë dritares ka një tabelë Sky TV, ndërsa është i rrethuar nga fqinjët, vetëm me një pamje të vogël të oqeanit.

Duke folur nga shtëpia e tij e re, Morandi tha se ka qenë i mësuar me heshtjen.

“Tani është zhurmë e vazhdueshme… muzikë, skuter, njerëz…”.

Kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur Morandi, një ish-mësues nga qyteti verior i Modenas, u detyrua të largohej nga Budelli, ku kishte njohur çdo gur, pemë dhe kafshë në ishullin e thyer.

Ai kishte pritur që magjepsja e publikut në jetën e tij të zbehej pas largimit, përkundrazi, është rritur më shumë. Tifozët nga e gjithë bota vazhdojnë t’i dërgojnë mesazhe.

“Mendova se, pas largimit nga Budelli, askush nuk do të fliste më për mua”, tha ai.

“Në vend të kësaj, ju gazetarët vazhdoni akoma”.

Morandi kishte ëndërruar gjithmonë të jetonte në një ishull.

“Robinson Kruzoja i Italisë” lë ishullin pas 32 vitesh

I njohur si Robinson Kruzoja i Italisë, ai ka jetuar i vetëm në një ishull mesdhetar për më shumë se 30 vite.

Por, pasi ka hasur vështirësi në det, ka thënë se më në fund po i dorëzohet presionit nga autoritetet për t’u larguar dhe do të zhvendoset në një apartament të vogël.

81-vjeçari Mauro Morandi, endej nëpër Budelli, ishull afër Sardenjës, i njohur për plazhin e tij me rërë rozë, në 1989, pasi katamarani i tij u prish rrugës për në Paqësorin Jugor.

Në një kthesë të fatit, Morandi zbuloi se kujdestari i ishullit ishte gati të dilte në pension. Kështu, ai braktisi udhëtimin me vela, shiti anijen e tij dhe i zuri vendin.

Që atëherë, Morandi, shtëpia e të cilit është një ish-strehë e Luftës së Dytë Botërore me pamje nga një gji, ka njohur të gjithë shkëmbinjtë, pemët dhe llojet e kafshëve të ishullit.

Ai tha se kishte vendosur të largohej në fund të muajit, pas disa kërcënimeve me dëbim nga autoritetet e Parkut Kombëtar “La Maddalena”. Këta të fundit kanë menaxhuar Budelli-n që nga viti 2016 dhe duan të rimarrin shtëpinë e tij për ta kthyer ishullin në atë që është përshkruar si një qendër për edukimin mjedisor.

“Unë kam hequr dorë nga lufta”, tha ai. “Pas 32 vitesh këtu, ndihem shumë i trishtuar që u largova. Ata më thanë se duhet të bënin rregullime në shtëpinë time dhe me sa duket është e vërtetë”.

Autoritetet e parkut kombëtar kanë argumentuar se Morandi bëri punime në ndërtesë pa lejet e kërkuara.

Morandi, me origjinë nga Modena në Italinë qendrore, tha se ai do të lëvizte në një apartament të vogël në La Maddalena, ishullin më të madh të arkipelagut.

“Unë do të jetoj në periferi të qytetit kryesor, kështu që thjesht do të shkoj atje për pazar dhe pjesën tjetër të kohës do të mbaj veten time”, tha ai.

“Jeta ime nuk do të ndryshojë shumë, unë do të shoh akoma detin”.

Sa i përket Budelli-t, ai tha: “Shpresoj që dikush mund ta mbrojë atë ashtu si unë”.

Për vite me radhë, Morandi ruajti ishullin pa telashe, duke pastruar shtigjet e tij, mbajtur plazhet e tij të pacenuara dhe u mësuar udhëtarëve ditorë për ekosistemin e tij.

Por roli i tij u rrezikua kur kompania private që zotëronte ishullin falimentoi. Planet për ta shitur në 2013-n te Michael Harte, një biznesmen nga Zelanda e Re, që u zotua të mbante Morandi-n si kujdestar, u penguan mes protestave dhe një ndërhyrjeje nga qeveria italiane.

Në vitin 2016, një Gjykatës i Sardenjës vendosi që ishulli t’i kthehej publikut.

Në vitet e fundit, disa peticione kanë tërhequr mijëra nënshkrime në mbështetje të mbajtjes së Morandi-t në ishull.

Shumë mbështetës të tij shprehën zhgënjimin dhe zemërimin e tyre në faqen e tij në Facebook të dielën e 25 prillit.

“Jam pa fjalë, shkatërrimi i parajsës do të fillojë”, shkroi Carmelia Mangano, ndërsa Mirella Della Vecchia tha: “Unë nuk mund ta imagjinoj Budelli-n pa mbrojtjen e Mauro-s ju duhet të rezistoni!”

Salvatore Sechi u bëri thirrje banorëve të ishujve të tjerë në grupin La Maddalena të “rebelohen kundër kësaj padrejtësie”.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore