Lajme

Rizvanolli për KEDS-in: Nuk po i respekton rregullat e lojës


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës të martën ka sulmuar KEDS-in duke thënë se nuk po respekton “rregullat e lojës”.

Ajo tutje ka shtuar kritika ndaj kompanisë përgjegjëse për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS.

“Për çështjen e gazit kemi folur shumë dhe besoj që është shtjerrur. Unë nuk di nëse nuk po e kuptoni këtë me të vërtetë apo qytetarët të besojnë në këto përralla. Për të zbutur ndikimet e çmimit të importit në tarifa, qeveria subvencionoi miliona euro”.

“Pavarësisht këtij fakti, Kosova vazhdon të devijojë sepse KEDS nuk po respekton rregullat e lojës. KEDS që nga data 20 dhjetor nuk e blenë tërë energjinë e nevojshme. Kësisoj, KOSTT po detyrohet të urdhërojë reduktime apo edhe subvencionim”, tha ajo.

Ndërkaq, shtoi se pret nga Zyrës e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe KOSTT që të veprojë sipas legjislacionit në fuqi.

KEDS.

“Presim nga ZRRE që të trajtojë këtë çështje sipas legjislacionit në kufi. KEDS dhe KESCO po e trajtojnë interesin e tyre komercial para interesit publik. Për reduktimet do të ketë përgjegjësi”.

Ajo tutje ka bërë thirrje që të evidentohen problemet teknike nga KOSTT-it dhe ZRRE-së.

“Me KEK do të punojmë që të evidentojmë problemet teknike. U bëj thirrje KOSTT-it dhe ZRRE-së që të saktësojnë të gjitha devijimet për energjinë”.

Çmimet evropiane të gazit natyror janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

“Kjo krizë energjetike në Evropë do të afektojë edhe Kosovën”.

Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi sipas saj qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë.

Kjo pasi që çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani ka arritur në mbi 100 euro.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 51 të mbajtur të premten e 24 dhjetorit, ka ndërmarr një vendim lidhur me shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore