Shqipëria

“Rikthimi i Berishës – disfatë e opozitës shqiptare dhe fundi i PD-së”


Në një takim të paralajmëruar, Lulzim Basha dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike, duke i dhënë fund kështu agonisë së tij politike.

Ky vendim erdhi pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, të cilat nxitën edhe disa prej deputetëve të selisë blu të kërkonin dorëheqjen e Bashës.

Ish-kryedemokrati në fjalim e tij preciz theksoi se largimi erdhi pasi kishte dështuar përpjekja për të mbajtur PD-në e bashkuar.

“Unë dhe demokratët u përballëm me akuza të shumta. Fatkeqësisht përpjekja për të mbajtur PD të bashkuar, nuk kishte sukses”, do të thoshte Basha të hënën e 21 marsit.

Fjalimi i largimit nga drejtimi i PD-së hidhte sytë nga e ardhmja e forcës politike për të arsyetuar vendimin e tij.

“PD-ja duhet të shohë drejt të ardhmes, unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush”, ishte një nga premtimet e Bashës.

Ikja e Bashës hapi edhe garën formale për kreun e partisë.

Nënkryetari legjitim i kësaj partie – tashmë drejtues i komanduar, Enkelejd Alibeaj, do të shprehej se gara për një lider të ri duhet bërë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Grupi Parlamentari i PD-së nuk harroi që t’i bënte thirrje Sali Berishës, që të largohej.

Pasi do të shmangte përçarjen dhe pasojat që mund të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të shpalljes non grata.

Ndonëse është mbajtur ky qëndrim nga PD-ja Komisioni i Rithemelit nuk ishte dakord.

Sipas tyre, Sali Berisha duhet të kandidojë, pasi antivota nuk qëndron.

Por si e shohin analistët të ardhmen e PD-së dhe skenarët e mundshëm brenda kësaj parti për karrigen e liderit?

Analisti, Lorenc Vangjeli, thekson se, PD-ja duhet të ndjekë shembullin e Partisë Socialiste, kur lideri i saj Fatos Nano, ishte në burg dhe partia drejtohej nga një grup kolegjial.

Për të, largimi i Bashës dhe periudha që mbetet deri në 30 prill mund të shërbejë për testimin e pulsit dhe për të bërë një zgjidhje që është provuar më parë edhe në Shqipëri.

Është një pikë e cila i bashkon analistët kur bëhet fjalë për situatën në PD.

Aty nuk duhet të rikthehet më Sali Berisha.

Analisti, Mentor Kikia, është shprehur se Berisha duhet të mos kandidojë, në të kundërt Edi Rama do të marrë dhe mandatin e katërt.

Ashtu si për Kikinë dhe Vangjelin, PD-ja më Berishën do të dobësohej më shumë dhe kjo kurrë nuk do të sillte bashkim.

Kikia në argumentin e tij shton se nëse Berisha vendos të qëndrojë, Basha do të jetë ende pjesë e PD-së për të vijuar betejën kundër tij.

Analisti Mentor Kikia

“Sot në PD nuk është se ka rënë zia, ajo parti s’do vejë të kërkojë strehim politik te Berisha. Nëse Berisha nuk ikën Basha do vazhdojë të jetë në atë parti për të vazhduar betejën kundër tij”, tha ai.

Për të, Basha së bashku me Berishën krijuan në selinë blu termin e demokratëve gri.

“Më 6 mars Berisha nuk mori dot as votat e atyre që ishin kundër Bashës. Berisha dhe Basha krijuan demokratët gri që nuk besuan as njërin e as tjetrin”.

Kikia shton se vetëm me ikjen e Berishës mund të bëhet një lojë e pastër.

“Nëse Berisha nuk ikën atëherë zyrtarisht PD është një funeral pa shans. Nëse Berisha nuk ikën do të ketë luftë anti-Berishë, që do të thotë Edi Rama në mandatin e katërt për të zezën tonë. Historia është në dorë të Berishës, Berisha i ka shanset sot”.

Analisti Skënder Minxhozi

Nga ana tjetër, analisti Skënder Minxhozi, potencon se kryetari i ri i PD-së do të jetë ai që cakton dhe lejon Sali Berisha.

Por njëjtë si analistët e lartpërmendur, edhe për Kikinë rikthimi i Berishës do të ishte humnerë për PD-së.

“Me Berishën në timon politika shqiptare merr mesazhin më të gabuar të imagjinueshëm”, shkuan Minxhozi.

Për të, dorëheqja e Bashës duhet të ishte bërë para pesë vitesh, kur humbi zgjedhjet.

“Basha erdhi e po ikën pa arritur të fitojë garën e pushtetit”, shprehet ai.

Kështu, sipas analistëve, PD-ja është në një piruetë nëntëvjeçare duke u kthyer në duart e kryetarit historik 78-vjeçar.

Në këto çaste, selia blu pritet të hyjë në një fazë të re ringritjeje ose rindërtimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore