Përballje

Rikthehet Liga e Kampionëve me ndeshjet e para çerekfinale


Gara më prestigjioze për klube në Evropë, Liga e Kampionëve, ka hyrë në një fazë të nxehtë.

Sonte (e marte) me fillim nga ora 21: 00 do të zhvillohen dy ndeshje të fazës çerekfinale të kësaj gare.

Ballafaqimi kryesor i kësaj nate do të zhvillohet në stadiumin “Etihad” të Manchester-it, ku do të përballen Manchester City dhe Atletico Madrid.

Sa i përket pjesëmarrjes në çerekfinale të Champions-it, dyja ekipet kanë bilanc të barabartë, ku secila prej tyre ka arritur nga gjashtë herë në këtë fazë.

Të dyja skuadrat po kalojnë në formë të shkëlqyer në ndeshjet e fundit, andaj përballja mes tyre pritet të dhurojë spektakël.

Që nga 12 dhjetori i vitit të kaluar, anglezët kanë pësuar vetëm një humbje dhe dy barazime në të gjitha garat, duke fituar 17 ndeshje.

Ndërsa madrilenët në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, kanë fituar shtatë prej tyre dhe vetëm një kanë barazuar.

Sa i përket mungesave për këtë sfidë, te City nuk do të ketë asnjë të theksuar, ndërsa te Atletico do ë mungojë Yannick Carrasco për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e fundit dhe Jose Maria Gimenez dhe Hector Herrera të dëmtuar.

Ndeshje tjetër mjaft interesante do të jetë edhe ajo mes Benfica-s dhe Liverpool-it.

Anglezët shihen favoritë në këtë takim, por pritet të hasin në një rezistencë të fortë të portugezëve, të cilët shkaktuan befasi duke eliminuar Ajax-in në raundin e 1/8-ve të finales.

Kujtojmë që për Liverpool-in ky do të jetë udhëtimi i dytë në këtë sezon në Portugali, pasi që në fazën e grupeve ata u përballen edhe me Porto-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore