Sport

Rikthehet klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia përballet me Tiranën


Këtë të shtunë do të rikthehet klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia – Tirana. Në “Loro Boriçi” shkodranët do të presin kryeqytetasit, duke filluar nga ora 16:45.

Ndeshja do të luhet për llogari të javës së shtatë në Abissnet Superiore. Javë e cila filloi të premten me duelin mes Dinamos dhe Kukësit, e përfunduar në shifrat 1-0 për verilindorët.

Vllaznia aktualisht renditet në vendin e katërt të Superiores, me nëntë pikë. Tirana renditet në vendin e dytë me 14 pikë, po aq sa Kukësi i vendit të parë (me një ndeshje më shumë).

Në dy ndeshjet e luajtura këtë sezon si ekip pritës, Vllaznia ka arritur një fitore dhe një barazim. Shtatë gola të shënuar dhe katër të pësuar për shkodranët.

Tirana ka luajtur dy ndeshje në transfertë. Një fitore dhe një barazim edhe për bardheblutë. Katër gola të shënuar dhe tre të pësuar.

Ndeshja e fundit mes dy skuadrave e luajtur gjashtë muaj më parë, përfundoi me fitoren minimale 1-0 të Tiranës. Ndërsa, në “Loro Boriçi”, përballja e fundit mes tyre ishte në shkurt të këtij viti, e përfunduar në shifrat 2-1 për bardheblutë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore