Lajme

Rihapet aeroporti i Kabulit


Aeroporti Ndërkombëtar i Kabulit, Hamid Karzai

Ambasadori i Katarit në Afganistan ka deklaruar se aeroporti i Kabulit është rihapur nga një ekip teknik për të marrë ndihmë dhe fluturimet civile do të fillojnë së shpejti.

Këtë lajm e bëri të ditur media e Katarit “ALJAZEERA”, të shtunën e 4 shtatorit.

Më tej u njoftua se pista në aeroportin e Kabulit është riparuar në bashkëpunim me autoritetet në Afganistan.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara pritet të financojë punën humanitare të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, por nuk ka gjasa të financojë drejtpërdrejt një qeveri të re të udhëhequr nga talebanët.

Kjo e fundit u konfirmua nga zyrtarët amerikanë duke shtuar se trupi botëror po përgatitet të diskutojë ndihmën për vendin e shkatërruar nga lufta.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, po udhëton për në Gjenevë për të thirrur një konferencë të nivelit të lartë mbi ndihmën për Afganistanin më 13 shtator.

Talebanët ende nuk kanë formuar një qeveri, por ka pasur njoftime se do të prezantohet së shpejti.

Ndërkohë, luftimet midis talebanëve dhe luftëtarëve të rezistencës vazhdojnë në Luginën Panjshir në veri të Kabulit, duke ngritur frikën se do të zhvendosen më shumë civilë.

Lugina Panjshir është krahina e fundit në Afganistan që kundërshton talebanët. Këta të fundit pasi morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht, drejtimi i vendit ra në duart e tyre.

Ata morën pushtetin fill pas njoftimit se trupat e SHBA-ve dhe NATO-s, do të largoheshin pas 20 vitesh luftë.

Nga ana tjetër presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar më herët se qeveria e tij është në bisedime të drejtpërdrejta me talebanët për të ndihmuar në drejtimin e aeroportit të Kabulit.

Sipas një draft-marrëveshjeje me talebanët Turqia dhe Katari do të operojnë së bashku aeroportin ndërkombëtar të Kabul-it. Çështja se si drejtohet dhe sigurohet aeroporti i Kabulit është vendimtare për të ardhmen e vendit.

Pritet që udhëheqësi turk të mbajë konsultime për këtë çështje me aleatët e tij të NATO-s, kryesisht Shtetet e Bashkuara.

Turqia përfundoi tërheqjen e trupave të saj nga aeroporti në fillim të kësaj jave.

Prej javësh, Turqia ka eksploruar mundësinë që ajo të garantojë siguri në aeroportin e Kabulit pasi trupat amerikane të largohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore