Shqipëria

“Revolucioni digjital”, Rama: Shërbimet online të ofrohen edhe nga bankat


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mesditën e 6 majit ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë në kuadër të dhënies së shërbimeve online për nismën e “Revolucionit Digjital”.

Ky takim ka ardhur në mënyrë që të lehtësohet barra e klientëve dhe sipërmarrësit për të pritur në radhë.

Rama u vuri në dukje se, siç kaluan të gjitha shërbimet publike online që prej 1 majit nëpërmjet portalit e-Albania, për këtë problematikë duhet të nisin punën edhe bankat.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se Shqipëria është renditur e para në rajon për ofrimin e shërbimeve online në raportin e BERZH-it, ndërsa bankat të fundit.

Sakaq, ai theksoi se për pagesat e TVSH-së, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, klientët nuk kanë pse presin në “radhë qumështi”. Ky hap, sipas Ramës, mund të kryhet përmes platformës e-Albania.

“Shohim radhët që në sabah, me njerëz që i orienton një roje aty jashtë. Këto nuk janë ngjarje të përditshme të momentit që jetojmë”, u shpreh Rama.

Sipas numrit një të qeverisë, kushdo që ka një kartë krediti, debiti ose online banking, mund t’i kryejë këto pagesa përmes platformës e-Albania pa kosto dhe pa përqindje komisioni.

“Për shërbimet publike nuk ka pse qytetari të shkojë te dera e bankës”, theksoi Kryeministri.

Rama e përmbylli fjalën për të përshpejtuar finalizimin e dhënies së shërbimeve online.

“Është koha që të shihni shkurtimin e dokumenteve dhe procedurave. Më vjen keq që nuk kam sot asnjë fjalë të mirë për të thënë për bankat”, e përmbylli ai.

Nga shoqata e bankave u theksua se janë ngritur grupet e punës që kjo gjë të arrihet.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe drejtoresha e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj.

Sejko u shpreh se, nga ana ligjore, të gjitha hapat ligjore janë marrë për harmonizimin dhe koordinimin me platformën e-Albania për dhënien e shërbimeve.

Që prej 1 majit ka nisur epoka e re e shërbimeve pa sportele, pasi ato u bënë të gjitha digjitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore