Shqipëria

Nga sot nis epoka e re digjitale, nuk ka më sportele


Duke nisur nga dita e sotme qytetarët shqiptarë do të duhet të përdorin portalin e shërbimeve elektronike “e-Albania” për të marrë shumicën dërrmuese të shërbimeve publike.

Në këtë mënyrë më 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele, pasi ato të bëhen të gjitha digjitale.

Kështu në të gjithë Shqipërinë do të ketë 150 zyra të gjendjes civile, të cilat do të ofrojnë shërbime për qytetarët nga 390 që janë aktualisht.

Shërbimet që do të ofrohen online do të jenë certifikata në gjuhë të huaj kryesisht ajo e lindjes, martesës, e vdekjes.

Pavarësisht reduktimit të zyrave, ku shërbimet ofrohen fizikisht, nuk do të ketë largime të punonjësve.

Ky lajm u bë fillimisht i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë një aktiviteti njoftoi edhe për mbylljen e sporteleve të shërbimeve publike dhe digjitalizimit të tyre.

Kryeministri theksoi se, falë digjitalizimit të këtyre shërbimeve, do të kapërcehet hendeku mes punonjësve dhe qytetarëve. Si dhe minohet korrupsioni në administrata publike për të marrë çfarëdolloj shërbimi.

“Janë 7 milionë euro që janë kursyer nga sportelet që harxhoheshin për të marrë letra. Është e padrejtë që njerëzve vazhdohet dhe u jepen certifikatë letër”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Sipas tij, platforma është gati dhe mjafton që qytetarët të kenë një “smartphone” celular për të kërkuar shërbimet.

“Nuk ka nevojë të lëvizë qytetari nga vendi. Mjafton të hyjë te platforma dhe ka marrë shërbimin”, vijoi Rama.

Ndër të tjera kreu i qeverisë përmendi njohjen e patentave shqiptare nga Gjermania, pasi kjo e fundit nuk e pranonte procesin e dhënies së mënyrës së dhënies së lejeve të drejtimit në vendin tonë.

“Ka pasur leje drejtimi që janë dhënë në mënyrë të parregullt, kjo e bënte të pamundur që Gjermania të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë”, theksoi Kryeministri.

Ai përmendi këtë për të bërë të ditur se digjitalizimi i shërbimeve solli njohjen e patentave nga gjermanët.

Numri një i qeverisë vuri në dukje se Shqipëria është renditur e 17-ta për shërbimet digjitale.

Ndërsa, sa u takon punonjësve të sporteleve, Rama u shpreh se ata do të vazhdojnë punën me plotësimin e dosjeve të kërkuara online nga qytetarët.

“Nëse për të marrë një dokument, duhen edhe pesë të tjera – që deri dje ishte i detyruar t’i merrte qytetari – pas datës 1 maj të gjitha do garantohen nga sistemi”.

Rama e përmbylli me një mesazh se, “jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një shtytje larg korrupsionit në shërbim, bakshishit dhe ryshfetit”.

Premtimi i Ramës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 ishte pikërisht “revolucioni digjital”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore