Lajme

Republikanët në avantazh nga sondazhet e fundit për zgjedhjet afatmesme në SHBA


Një javë përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA, sondazhet kanë treguare se republikanët janë në avantazh ndaj demokratëve.

Me sa duket republikanët janë të gatshëm të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, pasi partia ka rimarrë kryesimin në gara të caktuara disa ditë përpara se amerikanët të votojnë.

Sakaq, fitorja e pritshme prej 15 vendesh mund të ngushtohet nëse votuesit më të rinj do të dalin në numër më të madh se sa supozon parashikimi i “CBS News”.

Në javët e fundit, demokratët kanë humbur vrullin pasi të dhënat kanë sugjeruar se problemi i inflacionit në dekada nuk po përmirësohet dhe në disa raste rrezikohet të përkeqësohet, pasi rritet presioni i çmimeve.

Kjo ka nxitur frikën e një recesioni të afërt, duke pasur parasysh hapat agresivë që kërkohen nga Rezerva Federale për ta çrrënjosur atë.

Në SHBA, banka qendrore është në mes të një prej përpjekjeve më të fuqishme për të ngadalësuar ekonominë në dekada, me zyrtarët e lartë që paralajmërojnë për papunësinë e lartë.

Sondazhe nga “ABC News” dhe “Ipsos” tregojnë se ekonomia dhe inflacioni konsiderohen dy çështjet më të rëndësishme për afërsisht gjysmën e amerikanëve.

Gjatë verës, shanset e demokratëve dukeshin më të mëdha, të nxitura nga zemërimi mbi vendimin e Gjykatës Supreme për të rrëzuar vendimin historik “Roe kundër Wade”.

Shumë kandidatë demokratë i kishin përqendruar forcat në përfshirjen në ligj të së drejtës për abort. Por kjo, ka më pak gjasa të jetë motivimi kryesor për një në pesë amerikanë, të cilët thonë se çështja nuk bën aspak ndryshim në vendimin e tyre për votim.

“Mendoj se demokratët do të kenë një zgjim të vrazhdë më 8 nëntor se inflacioni i lartë, krimi i lartë, kufiri i hapur nuk janë ato që dëshiron publiku amerikan”, ka thënë Rick Scott, kryetar i komitetit kombëtar republikan.

Teksa zgjedhjet po afrohen, administrata e presidentit Joe Biden ka intensifikuar mesazhet për atë që presidenti ka bërë për të trajtuar inflacionin e lartë.

Këtë, duke theksuar fitoret legjislative në fillim të këtij viti, duke përfshirë një projektligj për klimën, taksat dhe kujdesin shëndetësor.

“Ne po e zvogëlojmë barrën për familjet punëtore dhe të klasës së mesme duke ulur kostot e gjërave të përditshme”, ka thënë presidenti Biden në Twitter.

Dhe se kjo është frymëmarrje për njerëzit që kanë më shumë nevojë, sipas tij.

Por sondazhi i “CBS”-së ka treguar se tetë në dhjetë votues të mundshëm mendojnë se gjërat në vend janë “jashtë kontrollit”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore