Lajme

Raportohet se BE po përgatit pozitë të re për Lajçak-un


Miroslav Lajçak

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatik të BE-së nëpër botë, pritet që të bëhet ambasador i Unionit në Zvicër.

Siç ka mësuar “Radio Evropa e Lirë” nga burimet diplomatike, Lajçak do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Burimet evropiane i kanë thanë REL-it se posti i Përfaqësuesit të Posaçëm për dialogun do të vendoset më vonë, pas rotacionit të një numri të madh të ambasadorëve të BE-së nëpër botë.

Po ashtu duhet të vendoset se si do t’i qaset BE-ja në të ardhmen dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithsesi, në BE do të ketë përpjekje që kjo të vendoset para 1 shtatorit në mënyrë që të mos ketë zbrazëti pas largimit të Lajçak-ut.

Por, kjo, sipas REL-it, varet nga qasja që do të ketë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, i cili do të pasojë në këtë post, Josep Borrell-in, pas zgjedhjeve evropiane të qershorit, nga të cilat do të zgjidhet edhe përbërja e re e Komisionit Evropian.

Të njëjtat burime i thanë REL-it se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së Unionit në Kosovë. Ky post po ashtu ka rangun e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së.

Kur të konfirmohet edhe zyrtarisht, Orav do ta zëvendësojë në këtë post në Prishtinë ambasadorin aktual, Tomas Szunyog.

Shefi i ardhshëm i zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Ndryshe, Lajçak, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, për herë të parë mandatin e Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e kishte marrë më 2 prill të vitit 2020.

Pas përfundimit të mandatit fillestar, BE-ja ia kishte zgjatur mandatin edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj.

Por, kjo nuk kishte qenë zgjatja e fundit e mandatit. Sllovakut, më 18 korrik, Unioni ia kishte besuar edhe një herë – me shumë gjasë e fundit – detyrën (24 muaj) në krye të negociatave për të arritur një marrëveshje kompromisi mes dy vendeve ballkanike që assesi të merren vesh.

Gjatë kohës kur Miroslav Lajçak ka negociuar procesin e dialogut nuk është bërë ndonjë progres domethënës, madje situata mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë tejet e tensionuar. Po ashtu, ka pasur kritika – sidomos nga zyrtarët kosovarë – se ndërmjetësuesi Lajçak “po mban anën” e Serbisë.

Arritja më e madhe e sllovakut, në detyrën që Unioni ia kishte besuar, është Marrëveshja Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars).

Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, dhe shefit të tij, Josep Borrell, për atë që tani njihet si Marrëveshja Bazike, përmbante 11 nene, përmes të cilave Bashkimi Evropian e ShBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshje – aktualisht – ka mbetur në hije, pasi që palët, përkatësisht Kosova dhe Serbia, në vend të implementimit, po akuzojnë njëra tjetrën për shmangie të përgjegjësive nga ajo çka vetë kanë pranuar.

Politikani pro-rus fiton zgjedhjet dhe Lajçak mund të bëhet ministër i jashtëm i tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore