Sport

Reja: Kundërshtarët po shfrytëzojnë gabimet tona, duhet ta harrojmë humbjen me Izraelin


Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve të martën, ku në “Air Albania” do të ballafaqohet me Islandën.

Për këtë ndeshje foli ne konferencën për media trajneri i kuqezinjve, Eduardo Reja, i cili tha se ekipi i tij po penalizohet nga gabimet.

“Flasim për gabime individuale, kundërshtarët po shfrytëzojnë gabimet tona. E rëndësishme të qëndrojmë të gjithë bashkë, kundër Izraelit bëmë shumë gabime. Ishin dhurata, kur barazuam lamë shumë hapësira për kundërsulm dhe këto nuk duhet të ndodhin kurrë”, theksoi tekniku italian.

Ai më pas u pyet edhe për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Islandës, ku la të kuptohet se mund të ketë ndryshime.

“Disa ndryshime do të jetë me siguri sepse bëhet fjalë ndeshje brenda tre ditësh. Shpresoj t’i kem të gjithë në dizpozicion, janë disa lojtarë që në klube kanë luajtur pak dhe në situata të tilla ndihen probleme”, shtoi Reja.

“Ndikon ngarkesa e madhe, deri nesër do të kemi një panoramë më të qartë për gjendjen e lojtarëve. Duhet të bëj vlerësimet e mia, por mund të ketë ndryshime në modul dhe emra lojtarësh. Ajeti nuk është stërvitur me skuadrën ka qenë i kontraktuar dhe duhet pritur”.

Reja pret që në takimin e nesërmen të ketë një organizim të mirë dhe ta harrojnë humbjen ndaj Izraelit.

“Kur pëson demoralizohesh, por nuk duhet të ndodhi sepse është koha e duhur për të rikuperuar. Duhet një organizim i mirë dhe skuadra të ruajë ekuilibrin, kërkuam fitoren dhe lamë hapësira”.

“Është pjesa psikologjike që duhet të ndihmojë lojtarët dhe të kuptojnë se është mundësia për të ndryshuar ndeshjen. Unë mendoj vetëm për nesër me Islandën dhe më pas ka kohë për të menduar, Zoti e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

Në fund, trajneri italian foli edhe për gjendjen psikologjike të lojtarëve, ku theksoi se djelmoshat e tij duhet të reagojnë në këtë takim.

“Ndaj Islandës duhet të jemi sa më në formë dhe të tregojmë sa vlejmë në karakter. Kur humbet një ndeshje duhet të reagosh, të jesh i inatosur, kjo për mua është e rëndësishme”.

Ndeshjen e parë me Islandën e kam fituar, ndeshjen fundit e barazuam. Luajtëm mirë, mund ta mposhtim. Nëse nuk luajmë me impenjimin e duhur dhe me karakterin e duhur atëherë do të ketë probleme, pastaj shtohen edhe gabimet. Ndaj Islandës duhet të tregojmë karakter sepse ata janë të fortë”, u shpreh mes tjerash Reja.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Islandës do të zhvillohet këtë të marte me fillim nga ora 20:45 në “Air Albania”.

Momentalisht Shqipëria ka grumbulluar vetëm një pikë në tre ndeshje të luajtura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore