Lajme

“Receta e Erdogan-it për Turqinë mbetet autokracia”


Që nga zgjedhjet presidenciale të Turqisë në maj, analistët perëndimorë kanë shpresuar se Recep Tajip Erdogan do të moderojë stilin e tij të qeverisjes.

Optimizmin e tyre e kanë ushqyer disa hapa që Erdogan ka ndërmarrë, duke përfshirë emërimin e teknokratëve miqësorë ndaj tregut në ekipin e tij ekonomik, zëvendësimin e ministrit të Brendshëm të linjës së ashpër, uljen e retorikës antiperëndimore dhe shprehjen e mbështetjes për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Megjithatë, të gjitha këto lëvizje kanë për qëllim forcimin e sundimit të vetëm të Erdogan-it dhe Perëndimi po e ndihmon atë.

Riorganizimi i kabinetit të Erdogan-it ka sjellë teknokratë, por edhe ka lënë mënjanë sfiduesit e mundshëm – mbi të gjitha, Süleyman Soylu, një ish-ministër i Brendshëm nacionalist, antiperëndimor që dikur shihej si “njeriu i dytë” i regjimit.

Pas zgjedhjeve, Erdogan e largoi atë dhe filloi të pastronte burokracinë e Turqisë nga besnikët e Soylu.

Hulusi Akar, një ish-ministër i Mbrojtjes, ishte një tjetër pasardhës i mundshëm.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë tentativës për grusht shteti të vitit 2016 kundër Erdogan-it, Akar, u bë i njohur si ministër i Mbrojtjes pas puçit të dështuar.

Por fati i tij u vulos nga popullariteti në rritje dhe kritika e fshehtë ndaj vendimit të Erdogan-it për të mos vendosur trupa në zonat e goditura nga një tërmet shkatërrues në shkurt.

Menjëherë pas zgjedhjeve, edhe ai u zëvendësua nga një figurë e profilit të ulët.

Zgjedhja e Erdogan-it për ministër të Mbrojtjes dhe emërimet e reja në komandën e lartë ushtarake sugjerojnë se ai po forcon kontrollin e tij mbi atë që dikur ishte institucioni më i fuqishëm i Turqisë.

Përpjekjet për të shtypur kundërshtarët vazhdojnë të pandërprera.

Rivali i tij më i frikshëm politik, aktivistët e të drejtave dhe gazetarët mbeten në burg pavarësisht vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Pas fitores së tij në zgjedhje, një gjykatë filloi të dëgjojë një çështje kundër Ekrem İmamoğlu, kryebashkiaku popullor opozitar i Stambollit, me një akuzë për manipulim tenderash.

Pasi u dënua vitin e kaluar për “fyerje të një zyrtari publik”, İmamoğlu u ndalua të konkurronte kundër Erdogan-it në zgjedhjet e majit.

Tani ai përballet me një dënim të mundshëm me burg dhe një ndalim politik nëse shpallet fajtor.

E teksa Erdogan forcon kontrollin e tij, opozita e ndryshme ka shpërthyer mes përleshjeve të brendshme paszgjedhore.

Kemal Kılıçdaroğlu, i cili humbi nga Erdogan-i në maj, po i reziston thirrjeve për të dhënë dorëheqjen si lider i partisë opozitare Republikane Popullore.

Frustrimi po rritet në mesin e mbështetësve të opozitës në lidhje me perspektivat e kthimit të rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit.

Deri më tani, shumica e turqve besonin se mund ta nxirrnin Erdogan-in jashtë loje.

Mashtrimet, shkeljet e lirive civile dhe abuzimi me burimet shtetërore dhe mediatike e kishin bërë regjimin autoritar, por zgjedhjet nuk u konsideruan si fasadë dhe mbetën rruga drejt pushtetit.

Megjithatë, hapat e fundit të tij dhe rrëmuja e opozitës janë duke u larguar nga ky parim.

Tani vetëm problemet ekonomike të Turqisë qëndrojnë në rrugën e përpjekjeve të Erdogan-it për të konsoliduar autokracinë e tij.

Politikat e tij jo-ortodokse e kanë futur ekonominë në një spirale në rënie. Por në vend të reformave strukturore shumë të nevojshme, ai po kërkon një zgjidhje të shpejtë.

Për të sinjalizuar një ndryshim në kurs, ai emëroi Mehmet Simsek, një ish-ministër Financash miqësor ndaj tregut, për të udhëhequr ekonominë.

Në një farë mase, lëvizjet e Erdogan-it duket se po japin rezultat.

Investitorët e huaj po kthehen dhe Banka Botërore planifikon të dyfishojë ekspozimin e saj ndaj Turqisë në 35 miliardë dollarë, që përfshin huadhënien direkte për qeverinë.

Këto fonde po i hedhin atij një litar shpëtimi pa reforma domethënëse në këmbim.

Mirëpo, ata që kujdesen për demokracinë në Turqi nuk duhet të mashtrohen nga lëvizjet taktike të Erdogan-it.

Çka mund të duket si moderim është në fakt faza e fundit në konsolidimin e sundimit të njeriut të fortë të Erdogan-it.

Teksa republika turke i afrohet njëqindvjetorit të saj muajin e ardhshëm, ajo është në një pikë kritike në rrugëtimin e saj gjarpërues drejt demokracisë perëndimore.

Do të ishte një ironi e trishtueshme të shihje Perëndimin bashkëpunëtor në sigurimin e autokracisë së tij.

Shkrim nga Gönül Tol për “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore