Lajme

Reagon zëvendësi i Haxhiut pasi Albanian Post publikoi lëshimin e ministres: Instituti ka qenë i themeluar, por tash është serioz e profesional


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkroi në profilin e saj në Facebook se “për herë të parë që nga paslufta, Republika e Kosovës do të ketë Institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës”.

Por, një Institut i tillë ishte themeluar shumë vjet më parë, në vitin 2011 dhe ishte nënshkruar nga atëherë zëvendës-kryeministri, Hajredin Kuçi.

Albanian Post publikoi edhe dokumentin e themelimit, ku shihej se kush do jenë anëtarët e Institutit.

Pas lajmit, ka reaguar me një përmirësim, zëvendësi i Haxhiut, Blerim Sallahu.

Ai thotë se mbase nuk është hera e parë që po themelohet, porse është hera e parë që do të jetë profesional.

“Instituti për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës që sot u miratua në Qeveri, u pat shuar arbitrarisht e gabimisht në vitin 2018 nga PDK-ja si pjesë e Qeverisë Haradinaj atëbotë”, shkruan ai.

Dokumenti

“Nga tani, u hap rruga për krijimin e një institucioni serioz e profesional, për të përmbushur në mënyrë shkencore e cilësore detyrën e dokumentimit të gjenocidit, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit që shteti serb i ka kryer në vendin tonë”.

Me fushëveprim, me anëtarë dhe me platformë, Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në vitin 2011.

Blerim Sallahu

Zyrat e Institutit fillimisht kanë qenë në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, pastaj në një objekt privat në lagjen Dragodan në Prishtinë.

Po ashtu, Instituti kishte edhe statutin e vet, por edhe pati grumbulluar dokumente dhe ishin bërë edhe publikimet e para.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore