Shqipëria

Reagon PD: ‘Komplimente’ grupit të Foltores dhe të Bardhit për miratimin pa debat të ligjeve


Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri, ka reaguar pas përfundimit të seancës plenare të ësaj të enjteje në Kuvend.

Edhe kësaj here, deputetët e Rithemelimit bllokuan sërish diskutimet duke përdorur zhurmuese.

“Komplimente Foltores dhe grupit te Bardhit për miratimin pa debat të të gjitha ligjeve të mazhorancës socialiste në seancë plenare të Kuvendit”, ka komentuar ai.

“Revolucioni vazhdon, Rilindja përparon”, ka shkruar Kulluri në reagim.

Sakaq, ka përfunduar seanca e sotme plenare e cila zgjati vetëm 11 minuta, për shkak të skenarit të Rithemelimit për të vijuar me bllokimin e saj.

Deputetët e grupit Bardhi-Berisha kanë ndezur zhurmues dhe kanë dalë para foltores me pankarta në duar.

Kjo, ka bërë që kryeparlamentarja Lindita Nikolla të kalojë direkt në votim për miratimin e akteve.

Fillimisht, ata kërkuan largimin e Gradës, ku Nikolla u tha punonjësve të largohen, por Rithemelimi vijoi sërish me zhurmuesit.

Deputetët e opozitës, ndryshe nga herët e kaluara nuk kanë grumbulluar karriget “pirg” dhe nuk kanë përdorur flakadanë.

“Na duhet qeveri, jo kartel”, “Vrasës i pluralizmit”, “Gjykatat e Shqipërisë, apo gjykatat e Ramës”, “Edhe Rama, në burg si Mcgonigal”, “Na ktheni atë që është e jona!“, janë disa nga mesazhet që kanë zgjedhur opozitarët sot, në shqip dhe anglisht, në kuadër të protestës së tyre që vijon prej disa kohësh.

Në seancë plenare pritej shqyrtimi i disa projektligjeve si ai i ratifikimit të marrëveshjes së financimit me Francën për programin (lnterreg VI-B) Euro Mesdhe (EURO MED) 2021-2027.

Gjithashtu në kalendar ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji në një dalje për mediat pas seancës tha se Kuvendi i bindet Partisë Socialiste.

“Siç edhe e shihni, në mënyrë të përsëritur PS e ka vënë për fund parlamentit dhe institucionet e tjera. Të gjitha institucionet i binden Ramës. Po votohen ligjet dhe kalohen në mënyrë të përshpejtuar. Ne kërkojmë 3 kërkesa kushtuese, që nuk na i garanton Rama. Asnjë i PS. Po kërkojmë bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore”, tha ai.

Salianji i bëri thirrje PS-së që mos të ndërhyjë në punët e brendshme të PD.

“Së dyti, e kemi bindur publikun për frikën e Ramës për hetim, fakton se frikën duan ta mbulojnë me mos hetim parlamentar. Kërkesa tjetër është të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të PD. ODHIR kërkoi dje ndalimin e përdorimin e Administratës në fushatë, pavarësisht deklaratave nga ndërkombëtarët për adresimin e problematikave të raportit të OSBE-ODHIR, vijohet njëlloj”.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku në një prononcim për mediat u shpreh se “bllokimi i seancës nga kolegët tanë opozitarë nuk rezulton e efektshme, por komode për mazhorancën”.

Ai ravijëzoi se “mbështesim pa asnjë rezervë kërkesën e ngritjes së komisioneve hetimore”.

Ndërsa, sa i takon pretendimit të dytë për bashkëkryetar nga ana e tyre, Çollaku e cilësoi si të  “pandershëm nga kolegët tanë të opozitës”.

Ndër të tjera ai theksoi se duke bllokuar Parlamentin, “e vetmja gjë që bëjmë është që bllokojmë veten dhe oponencën ndaj mazhorancën”.

“Edi Rama nuk ka asnjë problem dhe siç ka kaluar çështje madhore si buxheti apo marrëveshja me Melonin, i kalon pa pasur asnjë debat e oponencë. Pavarësisht qëllimit të mirë, kjo po shkon në një alibi për mazhorancën. Do vijojmë të tentojmë dialog brenda llojit. Mbështesim zërat racionalë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

  • PD

  • Lajmet kryesore