Lajme

Reagon edhe Qipro: Përplasjet në Veri u shkaktuan nga përpjekjet e Kosovës për të hyrë me forcë në Komuna


Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qipros, Theodoros Gotsis, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter ka reaguar pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës, ku polica asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

“Përplasjet ndërmjet policisë dhe serbëve etnikë në veri të Kosovës, të shkaktuara nga përpjekjet e Prishtinës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale, janë një burim shqetësimi të madh”, thanë nga MPJ-ja e Qipros.

Këto komente zëdhënësi i MPJ-së qiripote i bëri duke e shpërndarë deklaratën e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, Qipro së bashku me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Greqinë, janë pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.

Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, DASH i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore