Shqipëria

Reagimet e politikës shqiptare për kremtimin e “Fitër Bajramit”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.

“Mos e humb zemrën tënde. Mos bjer në dëshpërim. Ti do të jesh në krye, nëse je i vërtetë në besim – Kuran”, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Meta e ka përmbyllur urimin e tij me një pjesë të shkëputur nga libri i shenjtë i fesë myslimane, Kurani.

“Siç na mëson edhe Kurani: Qëndro i vendosur kundër padrejtësive, edhe nëse kjo gjë rezulton kundër teje”, përmbyllet urimi dhe mesazhi i Presidentit për besimtarët myslimanë.

Urim për këtë ditë të shenjtë të fesë myslimane ka ardhur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka uruar me një pamje nga Xhamia e re në Mullet.

“Me pamjen e bukur të Xhamisë së re në Mullet, uroj të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar festën e Fitër Bajramit”, shkruan ai në Facebook.

Pamje nga Xhamia e Mulletit

Po ashtu, edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e ka nisur ditën me një urim për besimtarët myslimanë.

“Kaloi një muaj rrugëtimi, ditësh durimi e agjërimi dhe netësh mirënjohjeje, faljeje e reflektimi”, e nis ajo urimin.

Nikolla ka vënë në dukje harmoninë fetare që e karakterizon kombin tonë.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

“Ne, shqiptarët, pavarësisht besimit, jemi një familje e bukur dhe e madhe. Mozaiku, diversiteti dhe respekti ndërfetar janë një vlerë e çmuar e qytetërimit shqiptar. Festat fetare i kemi pranë e pranë, si një simbolikë e afërsisë ndërfetare”, shkruan Nikolla në Facebook.

Ajo e përmbyll urimin, “me lumturi, paqe e bekime, vëllezër besimtarë myslimanë”.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka uruar me disa imazhe nga falja e Namazit nga Xhamia e Elbasanit.

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme
Pamje nga Xhamia e Elbasanit

Besimtarët myslimanë sot kremtojnë Fitër Bajramin. Sipas besimit islam, kjo ditë, është ajo në të cilën Allahu shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit. Ky shpërblim vjen në formën e paqes shpirtërore dhe faljes së mëkateve.

Kujtojmë se faljen e Namazit besimtarët myslimanë e kanë kryer në kushte jo pandemike, pas dy vitesh të bllokuar nga COVID-19.

Gjatë faljes, qindra besimtarë mblidhen në sheshe pranë Xhamive.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore