Euro 2020

Raundi i fundit i grupeve, çfarë sjell dita e parë?


U mbyll raundi i dytë i ndeshjeve në EURO 2020 me takimin Spanjë – Poloni.

Edhe ky raund prodhoi shumë ndeshje të jashtëzakonshme.

Ndryshe nga i pari, tashmë dijmë pak a shumë se si do të duken të gjitha grupet në mbylljen e tyre.

Disa grupe kanë lënë ende hapur elementin e surprizës, por jo edhe grupi A.

Është pikërisht ky grup ai që zhvillon ndeshjet sot.

Italia e kualifikuar, përballet me Uellsin që me një këmbë e gjysmë është në fazën tjetër.

Skuadra e Mancini-t e arriti kualifikimin pas dy ndeshjeve jashtëzakonshme.

Ata fituan 3-0 përballë Turqisë dhe Zvicrës, duke arritur gjashtë pikë.

Nesër, të kaltrit duhet të evitojnë humbjen, në mënyrë që vendi i parë të mos i takojë Uellsianëve.

Kurse, këta të fundit, vetëm në rast të befasisë, mund ta humbin vendin e dytë.

Ndeshja luhet në “Stadio Olimpico”, që priti edhe ndeshjet tjera të Italisë në këtë grup.

Takimi tjetër zhvillohet mes Turqisë dhe Zvicrës.

Turqia është me një këmbë jashtë, dhe shpresa e vetme për ta mund të jetë kualifikimi nga vendi i tretë.

Por, duke marrë parasysh golaverazhin që kanë ata, kjo gjë është thuajse në kufinjtë e të pamundurës.

Zvicra në anën tjetër, me një fitore, do t’i jap vetes mundësi të jashtëzakonshme që të kualifikohet si një ndër skuadrat e treta, gjithmonë nëse nuk arrin vendin e dytë para Uellsit.

Në Baku, dy skuadrat përballen në një ndeshje që vlen gjithçka.

Dy takimet fillojnë në orën 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore