Lajme

Rasti “Panda”, vendoset pllaka përkujtimore në 25-vjetorin e sulmit


Pllaka përkujtimore e rastit "Panda".

Të mërkurën e 14 dhjetorit, është vendosur pllaka shënjuese në 25 vjetorin e rastit “Panda” , që në tetor të këtij viti ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për media.

“Në kulmin e terrorit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, në hapësirat e këtij lokali, më 14 dhjetor 1998, përmes urdhrave të sigurimit të shtetit të Serbisë, u ekzekutuan gjashtë të rinj serbë”.

“Për këtë rast të inskenuar nga autoritetet serbe, u burgosën gjashtë të rinj shqiptarë të pafajshëm, të cilët u maltretuan rëndë nga policia serbe. Ata u shpallën të pafajshëm, por dëmi i shkaktuar nga pasojat e torturave në burgje është i pariparueshëm”, shkruhet në pllakë.

Ndërsa, gjatë të enjtes vizitë tek pllaka kujtimore kanë bërë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me zëvendësministrat e drejtësisë Blerim Sallahu dhe Vigan Qorolli, si dhe drejtorin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, vizituan hapësirat e lokalit “Panda”.

Ata e kujtuan rastin “Panda”, arrestimin e shqiptarëve dhe vrasjen e gjashtë të rinjve serbë.

“U theksua se si 25 vjet më parë nga sulmi terrorist i Serbisë në atë lokal u vranë gjashtë të rinj serbë, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekje për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë. Më pas, në Pejë i arrestuan më shumë se 150 shqiptarë. Të rinjtë Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami, të moshave nga 17 deri në 22 vjeç, u burgosën padrejtësisht dhe torturuan në burgjet serbe”.

Po ashtu në takimin e përbashkët me ish të burgosurit, ata rrëfyen për torturat ҫnjerëzore në qendrën e paraburgimit në Pejë, ku i kishin mbajtur deri në qershor 1999.

“Nga aty i kishin dërguar në burg në Leskovc të Serbisë. Pas shumë maltretimeve të përjetuara në burgje, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm, në mungesë të provave. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan, ndërsa Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000.

Po ashtu është theksuar përgjegjësia e shtetit të Serbisë për të vërtetën për këtë rast, dhe të gjitha krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e sulmit terrorist të Serbisë në lokalin “Panda” në Pejë, ku të vrarë kishin mbetur gjashtë të rinj serbë nga Kosova, duke theksuar se Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serb edhe pas një çerek shekulli, sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.

Hetimi i rastit nga Prokuroria e Serbisë, që nisi në vitin 2016, vazhdon ende pa rezultat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore