Shqipëria

Rastet në rritje me COVID – Kontrolle të shtuara për respektimin e masave në terren


Hapja thuajse tërësore për festat e fundvitit ka sjellë një rritje eksponenciale të rasteve të reja me COVID-19 gjatë javës së fundit, ku shifrat kanë shkuar edhe përtej atyre të pikut të pandemisë, me një mesatare prej rreth 1 mijë e 600 rastesh ditore.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ky shtim i atribuohet pikërisht heqjes së kufizimeve për festën e ndërrimit të viteve.

Sakaq, duke parë edhe shqetësimin mbi këtë çështje, nga ana e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor ka pasur një shtim të kontrolleve për respektimin e masave.

Me ardhjen e 4 janarit, në Shqipëri hynë në fuqi edhe masat e reja, ku punonjësve të administratës publike, atyre të qendrave tregtare dhe supermarketeve, u kërkohet të paraqesin certifikatën e vaksinimit në vendin e punës.

Një fluks i shtuar kontrollesh, është vënë re në këto njësi, ditët e para të janarit.

Burime zyrtare për Albanian Post kanë bërë me dije se fillimisht, kontrollet janë ushtruar në administratën publike.

Më pas, ka vazhduar me supermarketet dhe plani i punës do të vijojë.

“Në pjesën e parë të punës së zhvilluar nga Inspektoriati, kanë ushtruar kontrollet në njësinë 2 për vaksinimin e punonjësve me urdhrin e 24 dhjetorit. Javën e kaluar u kontrolluan administrata dhe qendrat tregtare. Këtë javë e kanë radhën supermarketet”.

Kështu është thënë nga burimi i Albanian Post pranë institucionit.

Ndërsa, një njoftim nuk ka munguar për këto ente shërbimi.

Administratorët e bizneseve janë njoftuar se do të ketë kontrolle të shtuara, përfshirë edhe përdorimin e maskave mbrojtëse në ambientet e brendshme të tyre. Këtu përfshihet edhe respektimi i masave nga klientët.

Njoftimi është bërë si rikujtuesë për bizneset dhe për të shmangur situata konfliktuale apo keqkuptimi mbi njoftimet zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore