Shqipëria

“Rastet e shtuara me COVID-19 u përkasin të pavaksinuarve”


Drejtuesja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, të premten e 13 gushtit, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se shumica “dërrmuese” e rasteve të shtuara me COVID-19, i përkasin moshave të reja dhe kategorisë mbi 70 vjeç që janë të pavaksinuar.

“Nga të infektuarit rishtazi, vetëm një pjesë e vogël rezulton të ketë kryer vaksinimin. Vetëm 2 ose 3% janë raste që janë vaksinuar me dy doza dhe vetëm 10% prej të infektuarve janë vaksinuar me një dozë”, ka informuar drejtuesja e Departamentit.

Duke e vënë theksin në rritjen “shqetësuese” të rasteve me COVID-19, Bino ka paralajmëruar për mekanizma mbrojtëse detyruese për kryerjen e vaksinës.

Sipas anëtarës të Komitetit Teknik, kategoritë më të prekura janë moshat nga 25-34 vjeç që nuk janë vaksinuar ose nuk preferojnë të vaksinohen, si dhe ata mbi 70 vjeç që nuk duan të vaksinohen.

Në vetëm gjysmën e muajit gusht, sipas doktoreshës, përhapja e coronavirus-it ka shënuar “një kthesë të fortë negative”, duke përcaktuar kështu numrin e infektimeve, në nivel më të lartë se totali i të prekurve në tre muajt pararendës, të marrë së bashku.

“Varianti Delta u konfirmua në Shqipëri në gjysmën e dytë të muajit korrik, nga mostra të cilat ishin mbedhur që nga Qershori”, njoftoi ajo.

Por, sa i përket masave kufizuese të lëvizjes, Bino tha se “është akoma herët të flasim nëse kemi të bëjmë me një transmetim të gjerë komunitar”.

“Deri më tani ,20% e popullatës ka marrë të dyja dozat, dhe 5% vetëm njërën dozë”.

Gjithashtu ju ka bërë thirrje dhe organeve ligj-zbatuese, qoftë policia apo inspektoratet, që “të ndjekin në mënyrë rigoroze, zbatimin e ligjit në mënyrë korrekte”.

Që nga fillimi i pandemisë, Shqipëria numëron gati 135 mijë të prekur nga COVID-19.

Në një studim të kryer nga Institutit i Shëndetit Publik, tregohet se në grupet e riskut, si personeli shëndetësor, është vënë re rritja e antitrupave në 60-70% të kampionëve.

Fushata e vaksinimit

Që prej datës 1 gusht fushata e vaksinimit masiv u vendos tё qёndrojё e hapur dhe pёr një muaj.

Kjo nismë i parapriu asaj tё datës 19-25 korrik, nё tё cilёn u vendos një javë e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç.

E gjitha kjo ka ardhur në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”.

Deri më tani, Shqipëria ka vaksinuar mbi 1 milionë e 300 mijë qytetarë.

Po ashtu, mbi 500 mijë të tjerë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Aktualisht, Shqipëria administron mbi 1 milionë e 8 mijë vaksina. Vaksinat e përdorura janё: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore