Lajme

Rashiç: Në momentin që krijohet Asociacioni, institucionet e Serbisë në Kosovë shuhen


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ka komentuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar e i pranuar në parim nga Qeveria e Kosovës.

Ndonëse Rashiç, thotë se nuk e ka parë versionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit, por duke u bazuar në atë të publikuar nga ana e ish-inspektorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, konstaton se me implementimin e një mekanizmi të tillë, sipas këtij draft-statuti, institucionet e Serbisë në Kosovë do të shuhen njëherë e përgjithmonë.

“Në momentin që ndodh, të gjitha institucionet, jo vetëm disa, por të gjitha institucionet që financohen nga buxheti i Republikës së Serbisë, thjesht mbyllen”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Radio Kim.

Marrë për bazë draft-statutin e publikuar nga ish-inspektori i AKI-së, Rashiç, ka vlerësuar ndër të tjera se funksionimi i Asociacionit si i tillë do të lidhet me Qeverinë e Kosovës konkretisht me Zyrën e Kryeministrit.

Rashiç ka potencuar gjithashtu se Asociacioni u paraqitet serbëve si diçka e madhe, por që nuk do të jetë diçka e tillë.

“Prezantohet sikur do të jetë ndonjë institucion që do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona, por për mendimin tim nuk është aspak kështu”.

Rashiç beson se themelimi i një mekanizmi të tillë nuk do të jetë aq i shpejt duke marrë parasysh këmbënguljen e kryeministrit të Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Zgjedhjet në SHBA po vijnë, si dhe zgjedhjet në Parlamentin Evropian, të cilat, siç pret, do ta vonojnë edhe më shumë procesin, por në të njëjtën kohë jep hapësirë ​​për ngritjen e kapaciteteve dhe mundësinë për të bërë diçka pozitive për çështjet e jetës së serbëve në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore