Lajme

Rashiç i kënaqur me zgjedhjet në Veri: Me 2 maj diskutohet draft-statuti i Asociacionit


Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ka deklaruar se në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai konsideron se serbët nuk e kanë përfaqësimin e duhur në dialogun e Brukselit, prandaj pret që në takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë të bëhen propozime që janë “të harmonizuara”.

“Në takimin e radhës më 2 maj unë pres që pala kosovare do të jetë të them inovative dhe konstruktive. Edhe vetë Kurti ka treguar në takimin e fundit në Ohër. Konsideroj që është arritur një marrëveshje sipas meje është e mirë sepse ka një logjik të moskonflikti, i cili për serbët e Kosovës është më i vlefshëm”.

“Detajet nuk janë në këtë moment të sqaruara por e di që me 2 maj nga ana e Kosovës ne do të përpiqemi që të bëjmë disa propozime të reja, propozime që janë të pjekura dhe kisha thënë të harmonizuar. Unë nuk do të jem aty, por me siguri do të bisedohet për propozime”.

Kurse për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, më 23 prill ka deklaruar se u tregua qartë se interesat e komunitetit serb janë duke u përdorur si mjet për beteja politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç

“Unë e respektoj këtë element sepse në duhet të respektojmë ligjet. Për fat të keq e kemi parë edhe një herë që ndikimi i cili është zakonisht i vrazhdë, i cili në këtë aspekt partia politike e cila përfaqëson presidentin Vuçiç nuk hezitoi të bëjë gjithçka që është e mundur që të mbesin në pushtet”, deklaroi Rashiç para gazetarëve.

Ndërsa, është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve të cilat kaluan pa ndonjë incident.

“Së pari jam shumë i kënaqur se ka kaluar pa incidente pa kurrfarë konflikti, ka kaluar në ambient të qetë dhe unë jam i kënaqur edhe pse nuk konsideroj me këto rrethana që zgjedhjet kanë qenë një zgjidhje perfekte, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ligjet përcaktojnë se sa kemi afat për mbajtjen e zgjedhjeve”.

Edhe pse nuk do të jetë i pranishëm ai ka përshtypjen që në këtë takim do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit.

I pyetur për deklaratën e Milan Rajoçiç-it i cili ka thënë se “nuk do t’i lejojë komunat veriore të udhëhiqen nga shqiptarët”,  ai konsideron se është një “deklaratë e rrezikshme”, duke bërë thirrje tek qytetarët që të mos dëgjojnë deklarata të tilla.

“Kjo deklaratë është e rrezikshme dhe unë lus nëse mund të dëgjoja ata që bëjnë deklarata të tilla, i lus që të përmbahen nga deklarata që në mënyrë direkte ose indirekte potencojnë që mund të ketë një pengesë të marrjes së pushtetit”.

“Prapë e di që ndoshta kjo është jo e fjalëve, në këtë rast ndoshta mund të thoni që nuk ka legjitimitet por megjithatë aty ka legalitet. Ose më mirë me fjalë të shkurta edhe pesë njerëz të dalin në zgjedhje llogaritet se ai që merr 5 i fiton zgjedhjet”.

Kritikues Rashiç u shpreh edhe ndaj Listës Serbe i cili theksoi se në të kaluarën dy kandidatë për kryetar të komunës në Veri kishin humbur jetën përmes bindjeve të tyre.

“Legalitet në këtë rast është arritur, legjitimitet në këtë rast gjithmonë do të jetë sfidë. Sikur unë mund të them që Lista serbe kurrë nuk ka pasur legjitimitet, sepse çdo fushatë çdo proces të zgjedhjeve i ka bërë më dhunë, dhe mos ta harrojmë që dy kandidatë për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut e kanë humbur jetën për shkak të bindjeve të tyre politike. Ata janë më së paku që mund të kërkojnë legjitimitet”.

Edhe një herë në Bruksel…

Në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që do mbahet më 2 maj në Bruksel, do të jetë pjesë e agjendës edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu ka bërë të ditur Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook.

Tutje diplomati sllovak ka theksuar se pret që të dyja palët të shkojnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit.

Më 20 prill, edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e pati konfirmuar se për Asociacionin do flitet në takimin e 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiç-it.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore