Lajme

Raporti: Putin rivendos ukrainasit në Siberi dhe Rusinë e largët lindore


Sipas dokumenteve të Kremlinit, presidenti rus Vladimir Putin ka dërguar pothuajse 100 mijë refugjatë ukrainas mijëra milje larg shtëpisë së tyre, për t’u zhvendosur në qoshet e largëta të Rusisë, duke përfshirë Siberinë dhe Rrethin Arktik.

Moska dha urdhrin e urgjencës muajin e kaluar për të zhvendosur 95 mijë e 739 njerëz nga Federata Ruse, Ukraina, Donetsk dhe Lugansk larg zonave të luftës për t’u zhvendosur deri në 5 mijë e 500 milje larg shtëpive të tyre, thuhet në dekretin e Kremlinit të parë nga e përditshmja britanike “The Independent”.

Ai vjen mes disa raporteve se forcat ruse dyshohet se kanë zhdukur me forcë, kanë mbajtur robër ose kanë marrë në pyetje njerëz në qytetet e Ukrainës që nga pushtimi i vendit nga Putin-i më 24 shkurt.

Dekreti thoshte se “duke marrë parasysh situatën aktuale” në Ukrainë, Federata Ruse “miraton shpërndarjen” e qytetarëve në “entitetet përbërëse të Federatës Ruse” dhe u kërkoi autoriteteve “të sigurojnë pritjen” e 95 mijë e 739 personave.

Ai përfshinte dispozita për dërgimin e 11 mijë e 398 njerëzve në Siberi, 7 mijë e 218 në Lindjen e Largët dhe 7 mijë e 23 në Kaukazin e Veriut, duke përfshirë rajone të tjera si republikat shumë të militarizuara të Çeçenisë, Ingushetia-së dhe Dagestan-it.

Duke cituar dokumente të veçanta, raporti shtoi se njerëzve në qytetin port të Mariupol-it u kërkohej të nënshkruanin dokumente që pretendonin se trupat ukrainase granatuan qytetin e tyre. Atyre u thuhej se nuk mund të kthehen në Ukrainë sepse do të përballen me “persekutim”.

Numri i ukrainasve që janë zhvendosur brenda vendit ka arritur në mbi 7.1 milionë që nga pushtimi i vendit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.

Ndërkohë, një kolonë prej 8 miljesh trupash ruse e parë në imazhet satelitore që shkon drejt rajonit të Donbas-it të Ukrainës është prova më e fundit për pretendimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Rusia po përgatitet sërish për sulme.

Zelensky tha se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës mund të jetë duke hyrë në një “fazë të re terrori” duke përmendur kërcënimet nga përdorimi i armëve kimike në qytetin e rrethuar të Mariupol-it. Parlamenti ukrainas tha gjithashtu se kishte marrë raporte për forcat ruse që gjuanin “acid nitrik” në rajonin e Donetsk-ut.

Ukrainasit në kufirin me Rumaninë

Ai pason të dhëna nga inteligjenca britanike të hënën që paralajmëroi për përdorimin e mundshëm të fosforit nga forcat ruse në Mariupol.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka thënë se janë duke monitoruar raportet e pakonfirmuara të përdorimit të municioneve kimike.

“Këto raporte, nëse janë të vërteta, janë thellësisht shqetësuese dhe reflektojnë shqetësimet që ne kemi pasur në lidhje me potencialin e Rusisë për të përdorur një sërë agjentësh për kontrollin e trazirave, duke përfshirë gaz lotsjellës të përzier me agjentë kimikë, në Ukrainë”, tha sekretari i shtypit i Pentagon-it, John Kirby.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore