Kosova

“Raportet ndërkombëtare tregojnë korrupsionin e vazhdueshëm brenda Qeverisë”, thotë KDI-ja


Foto: Albanian Post.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerëson se Kosova vazhdon të ballafaqohet me sfida të ngjashme si paqëndrueshmëria dhe një sistem drejtësie joefikas në të cilat përfshihet edhe korrupsioni brenda institucionit të Qeverisë.

Vlerësimin ky institut e ka bërë përmes raportit Studimi i Sistemit të Integritetit Kombëtar, për nivelin e integritetit në 15 institucione.

“Sfida të tilla si paqëndrueshmëria politike dhe një sistem drejtësie joefikas vazhdojnë, dhe raportet ndërkombëtare tregojnë korrupsionin e vazhdueshëm brenda qeverisë së bashku me veprimet e papërshtatshme korrigjuese”, është thënë nga KDI-ja. 

Sipas tyre, reformat janë të domosdoshme për të adresuar sfidat, duke kërkuar që të ketë sanksione ndaj gjyqtarëve për efikasitet.

“Mungesa e burimeve, veçanërisht në dimensionet njerëzore dhe infrastrukturore, pengon efektivitetin e institucioneve. Ndikimi i papërshtatshëm politik, veçanërisht nga ekzekutivi, zvogëlon më tej efektivitetin dhe pavarësinë e organeve kyçe si gjyqësori, prokuroria dhe Kuvendi”.

“Mangësitë e transparencës, duke përfshirë procesverbalet konfidenciale të mbledhjeve të qeverisë dhe mangësitë e llogaridhënies, siç janë mungesa e sanksioneve për gjyqtarët, paraqesin sfida. Për më tepër, zbatimi i masave të integritetit, si kodet e sjelljes, mbetet i paqëndrueshëm”, thuhet në studim.

Ndërsa, ka shtuar se për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve duhet të ketë zbutje të ndikimeve të jashtme, me theks të veçantë të atyre politike.

“Forcimi i dispozitave ligjore dhe mekanizmave të zbatimit mund të garantojë autonomi të autoriteteve vendimmarrëse. Për më tepër, transparenca në proceset e vendimmarrjes duhet të rritet, veçanërisht në mbledhjet e qeverisë ku konfidencialiteti vazhdon, si dhe në përgjigjet ndaj pyetjeve të mediave”, thuhet në studim.

Kosova nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, vlerëson raporti i organizatës ndërkombëtare Transparency International (TI) për vitin 2023, derisa vendi i vogël ballkanik është radhitur në pozitën e 83-të në mesin e 180 vendeve që analizohen në raportin e përvjetshëm të kësaj organizate.

Për vlerësimin e 180 vendeve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

E gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, pra mbetet e njëjtë sikurse në vitin paraprak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore