Shqipëria

Rama: Vaksinohuni, pasi varianti i ri Delta është më agresiv


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore “18 Tetori” në Dimal.

Tashmë aty ka nisur dhe vaksinimi masiv për çdo qytetar +18 vjeç.

Në fjalën e tij pas inspektimit, kreu i Qeverisë ka bërë thirrje që çdo qytetar të vaksinohet për t’i bërë ballë variantit të ri Delta.

Sipas kryeministrit, ky variant është më agresiv dhe përhapet më shpejt.

“Ajo që vlen për t’u theksuar, është se, përtej faktit se Shqipëria ka ecur mirë dhe është klasifikuar në vendet e para sa i përket efikasitetit të këtij procesi, varianti i ri është agresiv dhe përhapet shpejt”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se vaksinimi nuk e bën të paprekshëm individin, por e bën virusin më të dobët para tij.

Ndërkohë, nga ana tjetër, ministrja Manastirliu ka rikujtuar faktin se është arritur objektivi 1 milion vaksinime.

Një javë vaksinim i hapur në Shqipëri

Kjo fushatë e re u njoftua të premten e 16 korrikut nga ministrja Manastirliu. Kësaj fushate i parapriu ajo e 29-30 qershorit.

Prej 19 korrikut, çdo person i rritur në Shqipëri, do të mund të vaksinohet nëse e dëshiron.

Për sa i përket nismës së radhës për të inkurajuar marrjen e dozave nga të rriturit, mjeku i njohur Pëllumb Pipero, për Albanian Post, ka deklaruar se “një javë e hapur dhe e plotë për të gjithë moshat 18+, do të sjellë më shumë ndërgjegjësim te qytetarët”.

Sipas tij, sa më shumë qytetarë të vaksinohen – sidomos të rinj të vaksinuar – aq më shumë mbrojtje nga COVID-19 dhe veçanërisht nga mundësia për t’u infektuar me virusin shumë më ngjitës, Delta, do të ketë.

Sipas Manastirliut, kjo do të jetë vetëm java e parë e hapur e vaksinimit. Javë të tjera të hapura do të pasojnë.

Në marrjen e këtij vendimi, çoi gjendja e vaksinave në Shqipëri, ku një sasi – më e madhja e ardhur njëherësh – prej 340 mijë dozash Sinovac, mbërriti në Shqipëri më 15 korrik.

Pipero ka shtuar se kjo fushatë do të sjellë më pak infektime dhe më shumë mbrojtje gjatë stinës së dimrit.

“Një javë e plotë me mundësi të mëdha për të vaksinuar të gjithë grup-moshat 18+, do të thotë shumë më pak qytetarë të ekspozuar në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit ndaj COVID-19. Kësisoj, shumë më pak raste të reja infektimi, shumë më pak të sëmurë gjithashtu dhe shumë më pak raste në spital, definitivisht”.

Infektologu bëri me dije se rruga e vetme për të shpëtuar nga COVID-19 është vaksinimi. “Pra shpëtimin nga pandemia dhe fundin e saj neve e presim përmes vaksinimit. Prandaj ne nuk duhet të hezitojmë të vaksinohemi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore