Shqipëria

Rama: Vaksinimi i gjithë popullsisë do të mbyllet brenda 14 muajsh


“Skenari AA, ai i vaksinimit i të gjithë popullatës, do të mbyllet brenda 14 muajve”. Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media.

Rama deklaroi se vaksinën do e bëjnë të gjithë ata që duan dhe nuk do të jenë të detyruar nga shteti. Ai shtoi se ka nisur procesi i vaksinimit te shtëpia e të moshuarve në Tiranë.

“Po vaksinohen të moshuar që janë në kujdesin shtetëror dhe stafi i cili ka bërë një punë heroike. Shtëpitë e të moshuarve kanë qenë vendet ku vdekjet kanë qenë më të larta në të gjithë botën. Në Shqipëri asnjë i moshuar tek këto shtëpi nuk e kanë humbur jetën”.

Kryeministri tha se kjo ka ardhur pasi stafi është mbyllur me ta që ditën e parë.

“Si rezultat i një bllokimi total, karantinim total, kanë shpëtuar jetën e tyre dhe ska pasur asnjë humbje jete nga shtëpia e të moshuarve”.

Ai deklaroi se për 1 mijë persona vaksinimi do të mbyllet brenda kësaj jave.

“Nesër do të nisë procesi i vaksinimit në qytetin e Vlorës”.

Sipas Ramës, Qeveria po pret konfirmimin për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza nga kompania AstraZenecA.

“Mbrëmë kishim një kontakt me një shtet tjetër mik, kemi shpresë realiste se do të kemi një sasi të tjetër”, e mbylli kryeministri.

Gjatë deklaratës për media ishte dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Ajo tha për qytetarët se në katër spitale COVID nuk janë ezauruar të gjitha vendet e shtrimit.

“Spitalet COVID kanë disponibilitet, janë 550 shtretër në disponzicion. Kemi vendosur dhe shtretër ekstra. Duke e çuar numrin e tyre në 600 shtretër”.

Manastirliu deklaroi se në dy spitalet rajonale, në Shkodër dhe në Durrës, përkatësisht kanë një kapacitetet prej 60 dhe 80 shtretërsh.

“Mjekët e spitaleve rajonale i disponojnë të gjitha protokollet dhe sipas rasteve mund ti dërgojnë nëpërmjet një transporti, me kushte optimale nga urgjenca kombëtare në strukturat tona të spitaleve COVID”.

Ministrja deklaroi se në qytetin e Shkodrës dhe Vlorës janë 20 pacientë të shtruar post-COVID dhe raste të dyshuara.

“Duhet të jeni të qetë dhe të sigurt se ne kemi dhe disponojmë të gjitha kapacitetet spitalore për të pritur të gjitha rastet që kërkojnë kujdes spitalor në spitalet tona”, e mbylli Manastirliu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore