Shqipëria

Rama thirrje 12 vendeve anëtarë të KiE-s: Njihni Kosovën!


“Bëjeni tani, për Evropën, që po përballet me luftën e shëmtuar”.Përmes kësaj thirrjeje, kryeministri shqiptar Edi Rama u kujtoi 12 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të njohin më në fund pavarësinë e Republikës së Kosovës.Lajmi u bë i ditur gjatë përmbylljes së fjalës së kryeministrit në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-s.

Përgatitja

Rezoluta shqiptare kundër raportit të Dick Marty-t është paralajmëruar më herët nga qeveria shqiptare dhe është mbështetur edhe gjatë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasbourg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty-t”.

Kështu shprehej kreu i qeverisë më 20 qershor krah kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Prej aty, rezoluta kaloi në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me 125 vota pro, duke bashkuar mazhorancën dhe opozitën në qëndrime.

Autoritetet shqiptare dorëzuan më 12 gusht pranë institucionit evropian rezolutën e kaluar më herët në parlament.

Çfarë kërkon Shqipëria?

Sipas kërkesës së delegacionit shqiptar pranë organit të lartë evropian, do të kërkohet të përgatitet një raport i ri, për të zhbërë efektet e atij të Dick Marty-t.

Ky i fundit, është premisë direkte edhe e ngjizjes së Gjykatës Speciale, e cila ka çuar për gjykim në Hagë ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së.

Në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Këshillit të Evropës, ndër të tjera, i kërkohet të distancohet nga akuzat e paprovuara nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore