Shqipëria

Rama: Të rinjtë digjitalë, platforma jonë e 2021-it


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti fjalën e tij për rijetëzimin e Piramidës së Tiranës. Rama u shpreh se projekti i piramidës ka qenë një ndër më të vështirët.

“Ky është projekti më i vështirë nën këndvështrimin tim për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin mes të shkuarës dhe të ardhmes përmes një ndërhyrjeje në të tashmen. Kjo formë përmbante mesazhin e përjetshëm të lavdisë së komunizmit dhe të lavdisë së Enver Hoxhës”, pohoi Rama.

Sipas tij godina duhej ruajtur, jo vetëm për historinë e saj, por dhe për formën e saj.

“Vitet e lanë këtë godinë në një proces degradimi. Nuk u gjet kurrë se si mund të shërbente kjo godinë për qëllime të tjera dhe funksione të tjera. Piramida u kthye në një simbol i `tokës së xanun` mes shtetit dhe sipërmarrjes.

U kthye në një vend ku veprimtaritë s`kishin lidhje me njëra-tjetrën. Lindi ideja irracionale për ta kthyer në godinën e parlamentit të ri. Për të fshirë godinën. Kjo shkaktoi një acarim të brezit të ri që sapo kishte hyrë në epokën digjitale.

Rrjetet sociale u përdorën për thirrje për të rinjtë. Protestuesit ishin të rinj që s’kishin lidhje me regjimin. Kujtesa nuk ishte personale, por kolektive. Godina do të jetë shprehje e një ambicieje që mishëron të ardhmen përtej përjetësive të çdo lloj.”

Rama u shpreh se sfida më e madhe e tij që kur ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte kthimi i ndërtesës në një aset të rëndësishëm kulturor. Nuk përbënte sfidë plani arkitektonik, por funksioni i godinës.

Rama e përmbylli fjalën e tij duke shpalosur një nga pikat e platformës së Partisë Socialiste (PS). Kjo pikë e planit synon që shteti të jetë aktori kryesor i mbështetjes së të rinjve për aftësimin sa më cilësor në epokën digjitale.

“Dua ta mbyll duke u kthyer tek arsyeja më kuptimplotë për këdo që dëgjon. Çfarë do sjellë kjo godinë për mua si prind, si i ri, si pjesëtar i një familjeje që do të rrijë në Shqipëri, por që nuk e kupton dot pse duhet të rrijë në Shqipëri dhe të marrë një pagë më të ulët se ajo në Gjermani ? Dua t`i jap përgjigje me një fakt që kam mësuar së fundmi.

Në Korçë janë të paktën 100 të rinj të cilët fitojnë nga 1 mijë deri në 7 mijë euro në muaj. Janë të rinj që janë në botën e tyre. Nuk punojnë as në shtet as në privat, por kanë gjetur punë në internet, punë për të tretë”.

Rama tha se po planifikohet shtrirja një programi në vend për të rinjtë që synojnë të fitojnë të ardhura në botën digjitale. Ai shtoi se duhet shfrytëzuar potenciali i këtyre të rinjve, që në të ardhmen vendi të ketë një armatë të plotë profesionistësh të lirë, pavarësisht distancës gjeografike.

Kjo pikë do tu mundësojë të rinjve të ardhura shumë të larta, në krahasim me pagat aktuale në sektorin privat dhe të shtetëror. Njëkohësisht do t`i mundësojë atyre një liri që të fitojnë eksperienca ndërkombëtarë pa pasur nevojë të lëvizin nga Shqipëria.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore