Shqipëria

Rama takohet me Mitsotakis, në tryezë çështja “Beleri”


Kryeministri shqiptar Edi Rama është takuar me homologun e tij grek Mitsotakis në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius.

Mediat greke raportojnë se kryeministri i Greqisë nuk është tërhequr nga çështja Beleri dhe se ajo duhet zgjidhur menjëherë.

Sipas burimeve qeveritare greke, kryeministri theksoi nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes, duke theksuar se në Shqipëri ka një pikëpyetje të madhe të shtetit të së drejtës.

Në fund të fundit, ky element është një nga kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, tha Mitsotakis sipas mediave greke.

Më 7 korrik, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes një deklarate i rekomandonte palës greke të priste derisa drejtësia të vendosi për rastin e Fredi Belerit.

“E ftojmë Qeverinë e Greqisë të presë, ashtu si ne, që drejtësia të bëjë punën e saj”, thuhet në deklaratën e bërë nga ministria.

Po ashtu bëhet me dije se janë ndjekur reagimet e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri, duke i quajtur atë “të pavenda” dhe se “injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri”.

Ministria ka theksuar se qeveria shqiptare as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve.

Situata

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi më herët kërkesën e Belerit, për të marrë pjesë në betimin si kryebashkiak i Himarës.

Kjo, pasi akuzohet nga institucionet e drejtësisë për shit-blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Beleri paraqiti lejen në tre institucione në SPAK, Drejtorinë e Burgjeve dhe në GJKKO për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në orën 11.00.

GJJKO-ja sqaroi se lejet jepeshin vetëm në raste vdekjesh, martesash apo provimesh.

“Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, unë ende besoj në fuqinë e së vërtetës. Unë ende besoj në fuqinë e së mirës dhe virtytit”, shprehet fillimisht Beleri.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve të Himarës që të tregojnë durim, besim në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, “në atë që mbrojtët me votën tuaj”.

“Më 14 maj fitoi demokracia. Fitoi Himara. Dhe u jam mirënjohës atyre që treguan trimëri, por edhe mirëkuptoj ata që u nënshtruan presionit. Por ju premtoj se për mua nuk ka fitues dhe humbës. Të gjithë qytetarët e Himarës dhe unë si kryebashkiak, i pari mes të barabartëve, do të marshojmë të bashkuar për t’u bërë edhe më të fortë, duke mbrojtur Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut”, shtoi Beleri.

Me mungesën e sigurt të Belerit në ceremoninë e betimit, çfarë ndodh tani?

Ish-kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume tregoi se Beleri ka marrë mandatin e kryetarit të bashkisë, por për ta ushtruar këtë mandat është e domosdoshme të bëjë betimin.

Sipas tij, për sa kohë nuk do të bëjë betimin në detyrë do të jetë kryebashkiaku aktual Jorgo Goro.

“Përsakohë që nuk do të marrë zgjidhje problemi gjyqësor i Belerit, detyrën e kryetarit do ta ushtrojë Goro. Nuk ka kufizime në kohë, pra nëse betimi nuk bëhet brenda kaq kohësh ai nuk ushtron detyrën. E kam dëgjuar si argument ligjor që nëse nuk kryen betimin për disa muaj i ndërpritet mandati. Jo! Nuk jemi në këtë rast”, theksoi ai gjatë një interviste për transmetuesin “Report TV”.

Kume nënvizon se në ligjin për vetëqeverisjen vendore parashikohet një situatë e tillë në ato raste kur kryetari i bashkisë është në detyrën e kryetarit, por në rastin e Belerit ai nuk e ka nisur ende detyrën.

Ish-kryekomisioneri sqaron se Goro do të vijojë të jetë në detyrë derisa të zgjidhjet problemi me drejtësinë i Belerit.

“Vetëm pasi të vendosë gjyqësori çfarëdo të ndodhë me Beleri nisin e ndryshojnë gjërat”, ravijëzoi ai.

Diplomacia greke reagoi të hënën e 26 qershorit ndaj vendimit të GJKKO-s duke shkruar se “ky refuzim dëshmon, pa asnjë dyshim, se synimi i autoriteteve shqiptare është t’i heqin atij, pa një dënim të formës së prerë dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e rajonit”.

“Shqipëria, si kandidate për anëtarësim në familjen evropiane, duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe prezumimin e pafajësisë”, përsëritën sërish kërkesën e tyre MPJ-ja greke.

Beleri kërkoi më herët masë më të butë sesa ‘arresti në burg’.

Më parë, ai ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit, të marrë vendim për të shpallur si të paligjshme përgjimet që i janë bërë atij në vende private dhe që çuan më pas edhe në arrestimin e Belerit.

Sipas avokatëve të Belerit, vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm.

Ndaj, kërkohet shpallja e paligjshme e tyre.

Gjykata e Posaçme, më 1 qershor, e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Vlorës, e cila i ngarkoi masën me burg Belerit, teksa një bashkëpunëtori të tijit, Pandeli Kokoveshit, i ngarkoi masën e detyrimit të paraqitjes.

Gjatë seancës, avokatët kanë depozituar edhe prova të reja përsa i përket gjendjes shëndetësore të dy personave të dyshuar.

Kokaveshi përveç raporteve mjekësore kërkoi ndryshim mase edhe për shkak të fëmijës së mitur.

Ndërsa avokatët e Fredi Beleri insistojnë që nuk ka prova për “krimin” e klientit të tij.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certifikuar rezultatin, ku i jep mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore