Shqipëria

Rama: Spitali i Fierit projekt pilot, spitaleve do t`i jepet autonomi


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpjeguar të martën në një konferencë për shtyp, progresin e sistemit shëndetësor, thellimin e reformave, rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve dhe cilësisë së shërbimit në shëndetësi.

Rama u ndal në denoncimin e katër personave në sistemin shëndetësor, ku u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë në në çdo drejtim, përfshirë dhe mediat investigative

Sipas tij, kjo është “një pakicë e vogël por e mjaftueshme për të ndotur imazhin dhe pastërtinë e bluzave të bardha, si dhe performacën e tyre”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kura afatgjatë dhe e suksesshme” për të adresuar plagën e pushtetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës së sistemit. Gjithashtu do të bëhet diversifikimi sipas performancës dhe shpërblimit të mjekëve, të kalimit në një fazë tjetër. Spitalet do të funksionojnë më një logjikë që mundëson trajtimin falas.

Rama shtoi se kjo është një ambicie për qeverinë që i shërben dhe Spitalit të Fierit.

“Ky investim nuk do të jetë vetëm një infrastrukturë moderne, por edhe një bazë e transferimit të dijes që do të shërbejë si projekt pilot për të gjithë rrjetin e spitaleve”, ka deklaruar Rama.

Ky investim do të bazohet në modelin turk. ku do të ketë një ndarje të administrimit logjistik me burimet njerëzore. Ai ka folur dhe për mjekët që janë të dy-punësuar ku ka theksuar se “historia e mjekëve me dy stacione” merr fund.

“Duke punuar në spitalin publik, mjekët do të mund të marrin rroga më të larta në bazë të performacës”, deklaron ai.

Kryeministri e ka cilësuar Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) “më mirë se ç ‘ishte”. Gjithashtu Rama premton që QSUT-së do t’i japet autonomi në mënyrë që gjithë shërbimi të “jetë perfekt” si interes i drejtpërdrejtë “për të rritur të ardhurat”.

“Kemi pastruar rrënojat, kemi hapur themelet, infrastrukturën bazë. Tani duhet të plotësojmë me të gjitha elementët pikërisht atë karabinanë, që ngrehina bëhet e jetueshme” përmbylli kryeministri.

Pyetjes së gazetarit lidhur me kandidimin e tij në Tiranë Rama iu përgjigj duke thënë se nuk do të kandidojë në kryeqytet, në zgjedhjet e 25 prillit.

“Tiranës nuk i kam borxh në sensin që jam këtu në Tiranë. Jam pjesë e Tiranës. Jam votues në Tiranë. Kështu që nuk besoj se Tirana do të jetë xheloze për Vlorën dhe Durrësin. S`ka asnjë arsye. Për Tiranën kam bërë gjithçka që kam mundur. Gjithçka që kam ditur. Ma ha mendja se sa më shumë të kalojë koha aq më shumë do të kuptohet se kam qenë shumë i përkushtuar me mish e më shpirt. Për 11 vjet më ka zgjedhur Kryetar Bashkie  Më ka mbajtur në krye. Dhe i kam dhe një borxh tjetër që u ktheva si kryeministër kur më penguan të ushtroj vullnetin ndaj qytetarëve të Tiranës.  Nuk besoj se ky do të jetë një problem”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore