Shqipëria

Rama: Sistemi i drejtësisë ka ende probleme


Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët ka bërë bilancin për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, të cilin e konsideroi problematik.

“Dua ta nis me drejtësinë, me reformën në Drejtësi, duke pasur parasysh faktin që me të drejtë qytetarët kanë një pritshmëri të lartë, prej shumë vitesh dhe pasi i kanë dhënë një mbështetje të madhe procesit të reformës në drejtësi, kanë edhe një padurim të mirëkuptueshëm. Ende sot vazhdojnë problemet në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama vijoi më tej në lidhje me procesin e Vetingut, për të cilin u shpreh optimist.

Duke përmendur rezultatet, Rama kërkoi durim në përmbushjen dhe realizimin e këtij procesi.

“Sidoqoftë, nëse shohim bilancin e deritanishëm të këtij procesi mendoj që ka arsye për të qenë optimist për të nesërmen. Nëse shohim shifrat e këtij procesi atëherë me siguri, ajo që thashë konfirmohet, arsyeja për të qenë optimist për të nesërmen”, deklaroi Rama.

Këto deklarata vijnë pas betimit të anëtares së shtatë të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja ndërkohë që nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga ana e kryeministrit Rama për zhvillimet e fundit të kësaj gjykate./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore