Shqipëria

Rama shpall dëshmor 4 viktimat e 21 janarit 2011


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpallur dëshmor, të enjten, katër viktimat e vrarë në protestën e 21 janarit të 2011-ës.

“Sot kemi të gjitha arsyet për tu përulur me mirënjohje të madhe përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e jetës të së cilëve vuri një vijë të kuqe dhe qartësisht te lexueshme për të gjithë. Duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar”, është shprehur Rama.

Sipas tij, ajo “ngjarje tragjike” dhe katër jetë të humbura “kanë ndikuar historinë” në dy drejtime themelore. Nga njëra anë në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë.

Rama ka deklaruar gjithashtu se drejtësia “nuk e ka kryer detyrën e vet” për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi.

“Ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshme të të gjithë të afërmve të katër dëshmorëve të 21 janarit”, shprehet Rama./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore