Shqipëria

Rama publikon pamje nga tuneli i Skërficës


Punimet për hapjen e tunelit të Skërficës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 31 korrikut, e ka nisur me një video, ku tregon pamje nga punimet në tunelin e Skërficës, rruga Kardhiq-Delvinë.

“Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me tre orë rrugën nga Tirana në Sarandë”, bën me dije kryeministri Rama.

Më herët, gjatë muajit maj ishte njoftuar nga Rama, se ky tunel do të hapej në korrik. Aksi Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 37 km.

Ndërsa tuneli i Skërficës në aksin Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi prej 1.3 km. Gjithashtu shoqërohet edhe me tunelin e emergjencës me gjatësi 670 metër, “duke përmbushur kështu të gjitha kushtet e sigurisë”.

Projekti për këtë aks ka nisur që në vitin 2007, por punimet hasën probleme. Gjatë viteve të fundit ecuria e punimeve ka avancuar me hapa të shpejtë.

Ky aks rrugor pritet ti shërbejë jo vetëm interesave të turizmit por edhe banorëve të më shumë se 20 fshatrave në luginën e Kardhiqit dhe atë të Rrëzomës në Delvinë.

Nga ana tjetër në një inspektim të punimeve më 22 korrik ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se afati i përfundimit të punimeve është 7 gushti i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore