Shqipëria

Rama prezanton Luljeta Bozon si pjesë të listës së PS-së


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli ditën e sotme për rindërtimin. Ai e nisi fjalën me një përmbledhje të mandatit të fundit. Rama prezantoi gjithashtu programin “Rindërtimi nuk ndalet”.

Luljeta Bozo, kandidate e Partisë Socialiste (PS) në zgjedhjet e 25 prillit  

Kryeministri ftoi inxhinieren e njohur, Luljeta Bozon, për të folur për këtë proces. Rama e vlerësoi për ndihmën e vyer dhe i shprehu mirënjohjen.

“Dua që Luljeta Bozo të jetë këtu me mua. Që Luljeta Bozo të mund të përcjellë idenë se ne kemi bërë shumë, por jo aq sa është mjaftueshëm për të thënë; oh sa mirë! Kjo vjen dhe për PS. Kjo vlen për përpjekjet tona. Luljeta, të falënderoj shumë për mundimin dhe ne sot jemi këtu për të bërë një përmbledhje të adresimit të plagëve të rënda që hapi tërmeti. Besoj, për të gjitha këto arsye, vlen dhe për ato arsye që ne t’i shpjeguam. Je njeriu i duhur, në kohën dhe vendin e duhur”, u shpreh kryeministri.

Rama konfirmoi zyrtarisht se Luljeta Bozo do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Nga ky tërmet nxorëm disa mësime, të cilat kanë lidhje me shkeljet që janë bërë në fushën e ndërtimit. Më vjen mirë që qeveria e mori veten shpejt dhe filloi përpjekjet për të siguruar fondet. Kemi pasur një program që shtëpitë në fshat kanë qenë të shpërndara. Më vjen mirë që rindërtimi i tyre po vazhdon sipas legjislacionit. Bozo e cilësoi si një dhuratë për banorët hyrjen në shtëpitë e reja”.

Bozo mori shembullin e Italisë, ku shumë persona vijojnë dhe jetojnë në rulota pas shkatërrimit të shtëpive. Bozo u shpreh e kënaqur që rindërtimi ka vijuar sipas programit të qeverisë.

Rama, programi i rindërtimit

Në vijim, Rama e cilësoi këtë mandat të jashtëzakonshëm, duke qenë se vendi u godit nga pandemia.

“Sfidat, të cilat askush tjetër nuk do të mund t`i përballonte me forcën dhe dinjitetin që po i përballojmë ne, Partia Socialiste”.

Kryeministri shtoi se ndihet i qetë, teksa sheh se sot edhe personat, që kanë hyrë në shtëpi, vazhdojnë të mbështeten nga qeveria dhe jetojnë në kushte si gjithë të tjerët.

“Jam realisht i qetë kur i shoh në sy ata që u prekën, se asnjë ditë nuk mbetën në qiell të hapur. Askush që ende nuk është kthyer në shtëpi, nuk është në kushte të ndryshme, përpos 500 familje që kanë vendosur të qëndrojnë në çadër për arsyet e tyre dhe që, njësoj si gjithë të tjerët, marrin bonusin e qirasë”, shtoi kryeministri.

Rama shtoi se në vendin tonë po njihet praktika e parë e dhënies mbrapsht të një shtëpie më të mirë, më të bukur falas.

“Kudo praktikat janë bazuar në kredi të buta. Nocioni 100% falas nuk është përdorur askund”.

Gjatë fjalës së tij, ndërsa numëroi arritjet e deritanishme në procesin e rindërtimit, kryeministri sulmoi opozitën. Rama thumboi duke thënë se, nëse më 25 prill do të votohet opozita, procesi i rindërtimit do të këputet mes.

Ahmetaj, programi i rindërtimit

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, bëri një përmbledhje të planit të rindërtimit, duke rikujtuar skepticizmin e të gjithëve kur filloi ky plan.

Ai tha se vendi ynë nuk është një vend i pasur, por qeveria ka marrë përsipër të ndërtojë çdo shtëpi falas.

“Rindërtimi është sot aktiv, në një fazë tejet të avancuar në të katër programet e tij”, shtoi Ahmetaj.

Një vit nga finalizimi, e gjithë zona në 11 bashki është në kantier pune. Ministri shtoi se nga programi i rindërtimit përfitojnë 45 mijë familje. Ahmetaj e cilësoi këtë program kantierin më të madh të punës në këto 30 vite.

Veliaj, programi i rindërtimit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rikujtoi ngjarjen e tërmetit të 26 nëntorit dhe mobilizimin e menjëhershëm të strukturave të bashkisë në vatrat e prekura nga tërmeti në Tiranë.

Sipas Veliajt, edhe personat, që nuk u prekën nga tërmeti, do të përfitojnë duke pasur një infrastrukturë më të mirë. Ai përmendi rindërtimin në zonën “5 Maji” dhe rindërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Bashkitë ku vijon rindërtimi

Po ashtu, kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Shqalsi Cara, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, pasqyruan një përmbledhje të procesit të rindërtimit te bashkitë përkatëse, rezultatet e deritanishme dhe punën që po vijon.

“Partia Socialiste nuk është më e mira e mundshme, po ma thoni dot ku ka më të mirë? Punët tona nuk janë më të mirat e mundshme, po ma thoni dot kush ka bërë punë më të mira? Kush mund ta bëjë më mirë? Vetëm ne që jemi të vetëdijshëm se ka edhe shumë më mirë dhe se ne e kemi për detyrë të sforcohemi për t`u bërë edhe më të mirë”, përmbylli kreu i qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore