Shqipëria

Rama përkujton 578-vjetorin e “Beslidhjes së Lezhës”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar 578-vjetorin e “Beslidhjes së Lezhës” me një foto të emblemës në nder të kësaj dite.

“2 mars 1444-2 mars 2022”, poston Rama në median sociale Facebook duke kujtuar heroizmin e shqiptarëve kundër pushtimit osman.

“Beslidhja e Lezhës”

“Besëlidhja e Lezhës”, e njohur edhe me emërtimet tjera si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, “Kuvendi i Lezhës”, “Liga e Princave Shqiptarë”, është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

Ajo u mbajt më 2 mars të vitit 1444, në katedralen e Shën Nikollës në qytetin e Lezhës, aty ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Lezha kishte një pozitë gjeografike tepër të favorshme për mbajtjen e kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të kuvendit, veçanërisht me ato të Dukagjinasve e Kastriotëve.

Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që, më parë, ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.

Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa, pasi me këtë do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan.

Krijimi i një Besëlidhjeje mbarëshqiptare ishte bërë mbi principe të gjuhës, dokeve dhe traditave të veçanta, në krye me Skënderbeun. Besëlidhja, formimin e një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si Kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

“Lidhja e Lezhës” në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore