Shqipëria

Rama për komentet e Braverman-it: Nuk kam dëgjuar ende një falje, më bën të mendoj se ishte një sulm i llogaritur


Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi për “Sky News” se nuk ka dëgjuar ende një falje nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman për komentet e saj.

“Kjo gjë që më bën të mendoj se në vend të shprehjes së ekzagjeruar të zhgënjimit, ky ishte një sulm i llogaritur”, u shpreh kreu i qeverisë për transmetuesin britanik.

Sipas tij, kjo është gjëja më shqetësuese, pasi kur kërkon falje, gjithçka është në rregull.

“Kur nuk e bën, dhe kur e shmang, atëherë do të thotë se dëshiron diçka nga ajo që thuhet. Pra, do të thotë se ka një llogaritje pas saj, do të thotë që vërtet po flet me një numër të caktuar votuesish që duan të dëgjojnë këtë”, shtoi kryeministri.

Rama theksoi se britanikët po ushqehen me këtë sepse autoritetet kanë nevojë për votat e tyre.

“Pasojat e kësaj mund të jenë shkatërruese për njerëzit, për njerëzit tanë në Britani dhe për vetë Britaninë”, nënvizoi më tej kryesocialisti.

Ai tha se ka ngritur vazhdimisht idenë e një force speciale të përbashkët me Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar në shënjestrimin e trafikantëve.

Gazetarja e Sky News e pyeti kryeministrin shqiptar se sa përgjegjësi ndjente për ndjenjat e mungesës së shpresës që po i shtyjnë njerëzit jashtë.

“Është e vërtetë që ju mund të dëgjoni njerëzit që thonë kështu dhe është gjithashtu e vërtetë që tani është një periudhë kohore kur ka shumë ndikim të keq në përgjithësi në botë për shkak të luftës, për shkak të krizës [pas] pandemisë”, tha kreu i qeverisë.

Rama deklaroi në përmbyllje të intervistës se autoritetet shqiptare e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë.

“Duhet të bëjmë gjithçka për të përmirësuar situatën këtu dhe për ta bërë atë gjithnjë e më të mirë për të gjithë. Por ne e dimë gjithashtu se çfarëdo që të bëjmë, Shqipëria nuk do të jetë Londër, nuk do të jetë Paris, nuk do të jetë Berlin”, u shpreh kryeministri.

“Pushtimi” si alibi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore