Shqipëria

Rama pas takimit me Borell: Bullgaria ka marrë peng RMV-në, pa fazën tjetër ndryshojmë menjëherë kurs


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, se “Bullgaria ka marrë peng Maqedoninë e Veriut”.

Më tej, nga Brukseli, ai u shpreh Shqipëria do të ndryshojë menjëherë kurs, në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata.

Rama theksoi se është “shumë e qartë” që për Shqipërinë “opinioni është tejet pozitiv”.

“Ne presim një tjetër raport-progres dhe jemi të bindur që do jetë edhe më pozitiv për shkak se shumë gjëra kanë ndodhur dhe janë të gjitha në drejtimin e duhur”, shtoi kryeministri.

Për kreun e qeverisë, imazhi i Shqipërisë është komplet tjetër sot në çdo aspekt.

Referuar kësaj, Rama deklaroi se Shqipëria konsiderohet një model për rajonin, jo vetëm këtu, por dhe në Hagë është shumë e qartë kjo gjë.

Pas takimit, ai nënvizoi se biseda u përqendrua te situata social-ekonomike, si rezultat i pasojave të luftës.

Sa i takon presidencës franceze, kryeministri theksoi se ka mbetur peng i një ngërçi të madh që nuk ka lidhje fare me të.

“Bashkimi Evropian është një makineri e rëndë dhe e madhe, që edhe kur ka kthesa për të marrë, i merr shumë ngadalë, por ne kemi, prej disa kohësh, punuar me disa kryeqytete, duke bërë disa propozime tonat”, deklaroi më tej Rama.

Sot, u shpreh kreu i qeverisë, bisedimet mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Kancelarit apo Presidentit të Francës janë rutinë.

Nga ana tjetër, “gjithçka është e hapur dhe gjithçka mund të ndodhë”, tha në vijim kryeministri.

Rama solli po ashtu në vëmendje se mund të ndodhë që të ketë një ndryshim të rëndësishëm ose mund të mos ndodhë asgjë.

Kosova/Open Balkan

Ndër të tjera, teksa e pyetën gjatë intervistes lidhur me deklaratën e president serb Aleksandër Vuçiç, se Serbia do rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do kërkojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Rama u përgjigj se “autoritetet shqiptare janë në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Më herët, qeveria e Kosovës miratoi në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës”.

“Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok”, theksoi kryeministri.

Sipas tij, Shqipëria ka qasje komplet tjetër kur vjen puna te normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë.

Nga ana tjetër, Rama shtoi se respekton plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt.

“Kur vjen puna te demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100 për qind me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, sqaroi në përmbyllje kryeministri shqiptar.

I pyetur për Ballkanin e Hapur, Rama vërejti se ai  funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë.

Për kreun e qeverisë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë, duke afruar shembullin e Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore