Shqipëria

Rama: Nuk kam asnjë kufi për bashkëpunimin me PD-në


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrëmjen e 29 prillit ka dhënë intervistën e parë, përballë një paneli gazetarësh dhe analistësh, pas fitores në zgjedhjet elektorale të para katër ditëve, ku Partia Socialiste (PS) fitoi 74 mandate.

Sipas kryeministrit, i cili ka fituar mandatin e tretë qeverisës, sondazhet, përgjithësisht, kanë shpallur PS-në fituese. Prandaj, sipas tij, ky është tregues i qartë se nuk ka pasur as shitblerje votash dhe as manipulime.

“Nëse do ta shohim edhe në sondazhet që janë bërë publike, ka përputhshmëri mes sondazheve dhe rezultatit”.

Gjyqi me Agon Channel

Rama foli edhe për rastin e mbylljes së televizionit Agon Channel. Ai tha që, edhe pse Gjyqi i Arbitrazhit dënoi Shqipërinë që t’i japë pronarit të saj, Francesco Becchetti, shumën prej 110 milionë dollarësh, do të ndodhë e kundërta.

“Ne nuk do të paguajmë asnjë euro”, tha Rama, “ai do të na paguajë ne”.

Teksa nuk e tregoi strategjinë që do përdorte kundër Becchetti-t.

Bashkëpunimi me PD-në, LSI-në, PSD-në dhe presidentin Ilir Meta

Kryeministri foli edhe për bashkëpunimin me Partinë Demokratike (PD).

“Opozita”, tha Rama, “nuk duhet të rrijë urtë, por duhet të hapin një kapitull të ri në politikën shqiptare”.

Sipas kryeministrit, kjo duhet të vijë me një vullnet të mirë, duke lënë mënjanë “sjelljet adoleshente”. Ai theksoi se për PD-në, “nuk kam asnjë kufi për bashkëpunimin me të”.

Sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, Rama u shpreh se nuk hyn fare në kategorinë si PD-ja, prandaj nuk do të ketë bashkëpunim me të.

Gjithashtu, kryeministri foli edhe për presidentin e Republikës, Ilir Meta, për të cilin tha se e përjashton nga çdo lloj bashkëpunimi.

“Ilir Meta është jashtë çdo lloj konfiguracioni dhe me atë do të merret Parlamenti i Shqipërisë, sepse Metën populli e dënoi dhe parlamenti do të formalizojë dënimin. Është i dënuar nga populli shqiptar. Ky është Parlamenti i Shqipërisë dhe Meta është dënuar nga populli në mënyrën më spektakolare”.

“PD nuk është ndëshkuar në këto zgjedhje, të jemi realistë. Unë e lexoj votën e PD-së si një votë që i është dhënë dhe ka bërë një sforco. PD ka arritur maksimumin që mund të arrinte”.

Gjithashtu, kryeministri tha se nuk do të ketë bashkëqeverisje me Partinë Social Demokrate.

Votat e pavlefshme dhe kundërakuzat

Kryeministri u ktheu përgjigje edhe akuzave të Partisë Demokratike, sipas së cilës PS-ja ka persona me eksponentë kriminalë. Rama tha se, nëse do të ishte kështu, atëherë pse fitoi opozita te votat në burgje?

“Nëse banditët janë me ne, pse në burgje fitoi PD-ja?”

Një tjetër pikë ku kryeministri u ndal, ishte dhe pavlefshmëria e votave.

Sipas tij, nga këto vota jo të vlefshme, PS-ja ka humbur tre mandate, prandaj nuk mund të akuzohet për manipulime.

“Ne sot kalkulojmë që kemi humbur tre mandate nga votat e pavlefshme”, tha ai.

Gjatë intervistës Ramës u ndal edhe te një video, ku shfaqej një qytetar se e kishte shitur votën për 200 mijë lekë të vjetër. Kryeministri tha se, për të këtilla raste, policia ka nisur hetimet dhe se ato do të hetohen edhe nga SPAK-u.

Festa e fitores së PS-së

Kryeministri Rama u ndal edhe te festa e fitores në sheshin “Skënderbej”, të martën e pas zgjedhjeve, duke e cilësuar si gabim dhe faj.

Ai tha se “e pranoj që ajo që ndodhi në sheshin ‘Skënderbej’ ishte shkelje e pajustifikueshme për ne”.

Rama kërkoi falje publike për këtë gjest. “Është shkelje, është gabim. Është faj, kërkoj falje për këtë që ka ndodhur”.

Kur u pyet nëse PS është gjobitur për këtë grumbullim, kryeministri u shpreh se nuk ishte në dijeni.

Zgjedhjet e ardhshme

Gjatë debatit në studio, kryeministri gjithashtu parashikoi se PS do të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, Partia Socialiste është makineri fituese dhe që funksionon më së miri.

“Në zgjedhjet e tjetra, PS do të jetë mbi 850 mijë vota. Nuk e vendos unë sa do të marr, janë objektiva bazuar në analiza. Është shkencë kjo”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore