Shqipëria

Rama nderon Markun, pa lënë pas polemikat


Është nderuar me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike boksieri shqiptar Florian Marku, i cili dy ditë më parë fitoi edhe brezin e kampionit të botës në WBC, në një ndeshje përballë rivalit të tij meksikan, Miguel Parra Ramirez.

Megjithatë, polemikat e nderimit të sportistëve shqiptarë nga Kryeministri i Shqipërisë, nuk u lanë pas as në rastin e Markut, ashtu si edhe ndodhi në rastin e Luiza Gegën.

Pikërisht mbi këto polemika, kreu i Qeverisë ka shpjeguar një herë e mirë se rasti i Markut, është tërësisht i ndryshëm nga ai i Gegës dhe ndaj, titulli që boksieri merr, është një gradë më i ulët se sa ai i vrapueses kampione evrope në garën e 3 mijë metrave me pengesa për femra.

“Është qartësisht e dallueshme”, nënvizoi Rama. “Ne e kemi bërë dallimin mes Luizës dhe Florianit dhe ai qëndron në titullin e marrë. Ai i marrë nga Gega, është një titull që shumë pak njerëz me kontribute shumë të veçanta e kanë marrë. Ky është dallimi”.

Një ligjëratë, Rama e mbajti edhe mbi çështjen e mbështetjes që i jepet sportistëve në Shqipëri prej disa vitesh, duke iu përgjigjur rishtazi akuzave se Qeveria nuk i ka mbështetur ata dhe janë tërësisht personale.

Sipas tij, mbështetja ka qenë e vazhdueshme jo vetëm me çmime e nderime pas sukseseve, por edhe përgjatë stërvitjeve, apo qoftë edhe me integrimin e sportistëve në radhët e Ministrisë së Mbrojtjes, si pjesë e ligjit të ri për sportistët.

Mbi këtë çështje të fundit, kryeministri e ka sqaruar se kampionët, të cilët arrijnë rezultate në nivele ndërkombëtare, marrin edhe grada, deri në kolonel, ku ka shpjeguar se roli i tyre, është ai i mentorimit të Forcave të Armatosura, për të pasur mentalitetin e kampionit dhe mënyrën e duhur të stërvitjes.

Një shtytje edhe më e madhe nga ana tjetër, është garantuar nga kreu i Qeverisë për sportin, duke theksuar se 650 ekipe sportive do të angazhohen në disiplina si futboll, basketboll apo volejboll, për të ingranuar fëmijët e të rinjtë në rrugën sportive.

 

Vetë Marku, i përlotur për nderimin, foli mbi karrierën dhe jetën e tij, duke iu vënë kundër edhe spekulimi se ka arritur me fat në sukseset e tij.

Ai foli për angazhimin e tij të madh me boksin, duke e filluar me disiplina si kickboxing apo taekwondo, e më pas, duke emigruar fillimisht në Greqi e më tej në Britaninë e Madhe, se si karriera e tij u zhvillua në boks.

“Mos u dorëzoni kurrë, pasi një ditë do t’ia arrini”, theksoi Marku gjatë fjalës së tij, teksa bëri me dije se së bashku me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës, do të investojë për një numër palestrash ku të mund të stërviten të rinjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore