Shqipëria

Rama mbërrin në Beograd


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur zyrtarisht në Beograd, ku pritet të zhvillohet mbledhja e radhës në kuadër të nismës rajonale Open Balkan.

Nëpërmjet një fotoje të shpërndarë në median sociale Twitter, Drejtori i Komunikimit pranë Kryeministrisë, Endri Fuga, e ka bërë të ditur faktin, duke shpërndarë një foto nga avioni me të cilin kryeministri udhëtonte.

Ajo çfarë pritet, është një takim trepalësh mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo, për të vijuar diskutimet mbi perspektivën e Ballkanit të Hapur.

Pala serbe mikpritëse, do të jetë e përfaqësuar nga presidenti Alexander Vuçiç. Ndërkaq, me kryeministrin Zoran Zaev të dorëhequr nga posti i kryeministrit, palën maqedonase do ta përfaqësojë numri dy i Qeverisë, Nikola Dimitrov.

Nga ana tjetër, media serbe Tanjug, ka publikuar foto të pritjes që ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, i ka bërë kryeministrit shqiptar.

Më pas, delegacioni shqiptar është drejtuar për nga hoteli ku do të akomodohet. Në çastet e mbrëmjes, pritet edhe një darkë joformale mes Ramës, Vuçiç dhe Dimitrov.

Ky i fundit, ka mbërritur në Beograd më herët gjatë ditës.

Ndërsa konferenca e përbashkët mes të treve, pritet të ndodhë nesër, pas një serie takimesh.

Tregu i hapur rajonal, do t’i lërë më pas hapësirën kompanive private për të zhvilluar njohjet dhe bisedimet e tyre mbi benefitet e nismës Open Balkan.

Dorëheqja e Zaev ka krijuar paqartësi mbi të ardhmen e Open Balkan. Për këtë arsye, pritet që ky takim të jetë ndër më interesantët. Ndërkaq, priten edhe deklaratat nga të tre vendet mbi situatën aktuale të marrëveshjeve.

Nëse marrëveshja qëndron, lëvizja e lirë e mallrave pritet të nisë në janar 2022. Hapja e kufijve për shtetasit ndërkohë, pritet në janar 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore