Shqipëria

Rama-Manastirliu: Shërbimi i kardiologjisë i jep kuptim tjetër spitalit “Shefqet Ndroqi”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë vëzhguar nga afër investimin në shërbimin e ri të kardiologjisë, në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Ministrja bëri me dije se shërbimi i kardiologjisë i jep kuptim tjetër këtij spitali.

“Përveç shërbimit të hemodinamikës, tashmë dhe shërbimi i kardiologjisë përmbyll një cikël shumë të rëndësishëm, ku do të kryhen mbi 400 ndërhyrje operatore në vit”.

Manastirliu bëri me dije se ky investim do të jetë në dobi të qytetarëve. “Sepse”, tha ministrja, “do të shtohet numri i operacioneve të zemrës brenda vitit”.

Më 29 mars 2020, pas rritjes së rasteve me Covid-19 në Shqipëri, “Shefqet Ndroqi” shërbeu si spitali i dytë Covid në vend.

Një javë më parë, më 17 qershor, Senatoriumi iu rikthye normalitetit.

Me mbylljen e Covid-2, Spitali Infektiv është i vetmi i mbetur për trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë nga coronavirusi.

Më parë janë mbyllur dy spitale të dedikuara për trajtimin me Covid në Tiranë. Si dhe spitalet rajonale nuk kanë pritur më pacientë me virusin.

Pavarësisht mbylljes, spitalet do të mbeten në gatishmëri, në rast se në të ardhmen lind nevoja.

Situata epidemiologjike në vend është përmirësuar ndjeshëm në javët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore