Lajme

Rama liron nga detyra drejtorin e shërbimeve publike pas menaxhimit jo të duhur të mbeturinave


Përparim Rama dhe Ilirik Musliu

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të premten, ka njoftuar se ka liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pas menaxhimit jo të duhur të mbeturinave.

“Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Rama ndër të tjera ka potencuar se Komuna e Prishtinë ndonëse kishte krijuar një Task Forcë duke ndarë buxhete shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, sektori i menaxhimit të mbeturinave nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

“Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë.  Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore