Shqipëria

Rama jep shpresë për vaksinimin ndaj Covid: O ia dalim o ia dalim


Kryeministri Edi Rama gjendet në Stamboll për të përmbyllur marrëveshjen mbi vaksinat kineze, pas aprovimit të Ministrisë së Shëndetësisë mbi sigurinë e përdorimit të tyre.

“Në Stamboll për më shumë vaksina. O ia dalim o ia dalim, s’ka tjetër dhe po s’ia dolëm ne, askush tjetër nuk ka si ia del dot!”, shkruan Rama në Twitter.

Shqipëria aktualisht ka vënë në përdorim vaksinat nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo britanike AstraZeneca. 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V iu dhuruan vendit tonë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ato gjithsesi pritet të vihen në përdorim masiv nga e hëna.

Me aprovimin e vaksinës kineze, pritet të rritet numri i të vaksinuarve në vend. Shqipëria e ka nisur procesin e vaksinimit ndër të parat në rajon. Deri tani janë vaksinuar 53 mijë e 992 persona. Ndër ta, mjekët e kanë përfunduar marrjen e të dy dozave.

Moshat e treta dhe mësuesit kanë qenë prioriteti i radhës, nga të cilët një pjesë e mirë kanë marrë dozën e parë tashmë.

Vaksina kineze e Sinovac do të jetë e katërta që vihet në përdorim në Shqipëri nëse marrëveshja arrihet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore