Shqipëria

Rama: Do të rriten gjobat, mutacionet mund të jenë në Shqipëri


Rama tha se jemi në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri, të varianteve të reja të COVID-19. Kryeministri shtoi se po rritet infektimi i moshave më të reja dhe po ulet mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet COVID.

Kreu i qeverisë shtoi se nuk duhet të detyrohemi të kthehemi te masat e forta motivuese.

“Duhet motivim i gjithësecilit. Përgjegjësi maksimale qytetare. Ajo që po konsiderohet kudo si  një tjetër valë infektimesh, po reflektohet edhe këtu. Masat që janë në fuqi janë masa të cilat në këndvështrimin e komitetit teknik funksionojnë, por që të funksionojnë si duhet duhen zbatuar”.

Qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e masave ka qenë më tepër sensibilizuese dhe mirëkuptuese se sa represive. Në javët e fundit konstatohet një rënie e angazhimit të qytetarëve në respektimin e masave. Nga mbajtja e maskës te zbatimi i rregullave të vendosura te njësitë tregtare.

Kryeministri pohoi se është e patolerueshme që politikanët të shkelin rregullat duke u mbledhur në salla dhe dhoma me më shumë persona numri i përcaktuar nga komiteti teknik. Ai e cilësoi të  papërgjegjshme dhe të pajustifikueshme.

Rama bëri thirrje që të gjithë të zbatojnë masat, pasi numri i infektimeve rrezikon të rritet. Po ashtu barra e sistemit shëndetësor rrezikon të rëndohet. Ai tha se është ende larg që numri i të vaksinuarve të këpusë zinxhirin. Kjo vlen për vendet e tjera dhe për vendin tonë.

“Jemi në kushtet kur mund të shmangim këtë situatë. Zbatimi i masave duhet të jetë sa më korrekt”, tha kryeministri.

Pritet që Pfizer të fillojë lëvrimin e sasive të tjera hap pas hapi duke nisur nga mesi i shkurtit. Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinave do të rritet sipas kalendarit.

U bë një thirrje për tregtarët. Ata nuk duhet të abuzojnë, pavarësisht rimëkëmbjes së vështirë.

“Tregtarët kanë një rëndësi të posaçme pasi dhe rreziku është më i madh, pasi ndërveprimi është më i madh”, shtoi Rama.

Kryeministri njoftoi se Policia e Shtetit dhe Inspektoriatet janë angazhuar maksimalisht. Nëse do të ketë një reagim të menjëhershëm nga ana e qytetarëve. Policia e Shtetit dhe  Inspektoriatet do të veprojnë. U njoftua se në vitet në vijim do të rriten gjobat. Do të bëhet një përshkallëzim sipas hapësirave dhe kushteve për abuzim.

Rama e quajti të papranueshme që lokalet në Bllok dhe në zona të tjera të bëhen vatra të COVID-19. Kryeministri tha se kërkohet një mirëkuptim nga ana e qytetarëve.

Kryeministri kërkoi një angazhim më të madh të qytetarëve në respektimin e masave. Duhet të ketë një zbatim rigoroz të masave. Në të kundërt qeveria do të reagojë me forcë. Ai e cilësoi një thirrje për solidaritet, unitet, për të mos hapur të çara në një front të bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore