Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Jam gati të bashkëpunoj, por Basha nuk është udhëheqës


“Patjetër që jam gati të bashkëpunoj me Bashën, por duhet të ndahet nga Saliu dhe Iliri. Përgjigjja e tij dje është pohim i faktit që ai nuk është udhëheqës, por udhëndjekës”.

Kështu e zhvilloi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, replikën e radhës me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi elektoral me banorët e Kamzës.

Sipas Ramës, që të arrihet ky bashkëpunim, duhet “stofa” e udhëheqësit, karakteri dhe vizioni, aspekte të cilat Basha nuk i ka.

Ndër të tjera, kreu i Partisë Socialiste shtoi se “fitorja e socialistëve më 25 prill është e padiskutueshme”.

Por, sipas kryeministrit, kjo fitore nuk është as për të, as për deputetët, as për politikanët.

“Fitorja është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Fitorja është për ata që shohin politikanët dhe partitë që zihen me njëra-tjetrën”.

“Si do të shkurtojmë kohën? Si do të prekim të ardhmen më shpejt, nëse nuk do të bëheshim bashkë?”, shtroi pyetjen ai.

Kryeministri parashtroi argumentin se të gjithëve u duhet një fitore përtej pandemisë, politikës dhe partive. “Një fitore që shkon në drejtimin që ata shohin çdo mëngjes, që hapin sytë dhe kur mbyllin sytë në darkë, të ardhmen e fëmijëve”.

Rama u ka thënë mbështetësve se “nuk duhet t’i tradhtojnë fëmijët e tyre”.

Rindërtimi dhe vaksinimi

Rama ka theksuar se politika e shkuar e ka lënë Kamzën pa çerdhe, kopshte dhe shkolla, por gjithashtu politika e tanishme i dha rindërtimin dhe vaksinimin.

“Politika nuk ka bërë për Kamzën as një të njëmijtën e asaj çfarë çdo familje nga Kamza ka bërë për veten dhe Shqipërinë. Por, po të mos ishte politika, nuk do të preknim sot numrin 300 mijë të vaksinuar”.

Sipas Ramës, gjyshet dhe gjyshërit nuk do të ishin të vaksinuar nëse socialistët nuk do të ishin në pushtet.

“Vaksinat nuk erdhën nga qielli, i solli politika. Rindërtimin nuk e ka bërë një dorë e padukshme, por politika”.

Kryeministri nuk ka ngurruar të bëjë thirrje se nuk duhet pritur këmbë mbi këmbë, por duhet bashkim.

Akuza ka pasur edhe ndaj opozitës, se “ata janë gati ta djegin dhe gënjejnë Shqipërinë”.

“Si mund t’i besohet një pale që vjen dhe premton lekë?” tha Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore