Lajme

Rakiç me dy kërkesa: Kryetarët e zgjedhur të largohen, policia t’i lirojë objektet


Foto: Radio Evropa e Lirë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç ka paraqitur dy kërkesa që u ka përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë.

Kjo me qëllim që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në Veri, ku janë mbledhur.

“Kërkesat tona janë që sherifët siç e quajnë veten të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, ka deklaruar Rakiç gjatë fjalimit të tij në Zveçan.

Kurse nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç ka potencuar se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai, raporton Radio Evopa e Lirë.

Ndryshe, ka përfunduar takimi i përbashkët mes kryetarëve të sapozgjedhur të komunave në Veri të Kosovës, Zveçan dhe Zubin Potok dhe Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili nuk është deklaruar për media pas takimit.

Diplomati amerikan është nisur për në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku edhe ndodhet zyra e Presidentes Vjosa Osmani.

Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, të cilët fituan zgjedhjet e 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, i janë përgjigjur thirrjes për takim, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, e cila u mbajt në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në takim ishin ftuar edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, të cilët fituan me Lëvizjen Vetëvendosje, por ata nuk kanë marrë pjesë në këtë takim, i cili thuhet të ketë për qëllim uljen e tensioneve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policare nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore