Lajme

Qytetarëve u kërkohet të përdorin pikëkalimet tjera kufitare për shkak të protestës në Merdarë


Ilustrim

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të hënën, u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pikëkalimet tjera kufitare për qarkullim, për shkak të protestës dhe bllokimit të rrugëve në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

“Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes pikëkalimit kufitar në Merdarë se në pjesën e Serbisë, për sot janë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve, prej orës 12:00-15:00. Ju inkurajojmë që të përdorni pikëkalimiet tjera kufitare për qarkullim”.

Shoqata e Serbëve të Zhvendosur të Kosovës njoftoi se të hënën (5 shkurt) nga ora 12:00 deri në ora 15:00 do të bllokojnë rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë “për të gjitha automjetet që drejtohen nga shqiptarët” që kalojnë përmes pikëkalimit kufitar Kosovë-Serbi në Merdarë, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe Suboticës, gjegjësisht në mbarë territorin serb.

“Rrugët do të jetë të bllokuara çdo të hënë për tre orë nga ora 12:00 deri në ora 15:00 derisa të ndalet terrori i përditshëm ndaj popullit serb në Kosovë. Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të pallogaritshme”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Serbëve të Zhvendosur.

Bllokimi i rrugëve që të çojnë në drejtim të Kosovës vjen pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet të cilës synohet ndalimi i qarkullimit të dinarit serb në territorin kosovar. Shumë paralajmëruan se çështja e dinarit mund të nxisë ripërtëritjen e konfliktit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sikurse për targat.

Ndryshe, serbët e veriut, nëpërmjet automjeteve të rënda, ekskavatorëve dhe automjete private, bllokuan rrugët që të çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak – në dhjetor të vitit 2022. Në nëntë lokacione të ndryshme rrugët u barrikaduan nga strukturat paralele serbe duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore