Lajme

Qytetarëve të helmuar në Deçan u dalin në ndihmë humanistët dhe bizneset


Këngëtari dhe humanisti kosovar, Labinot Tahiri, ka ndarë dy mijë euro për të helmuarit në Deçan.

Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, për qytetarët e helmuar të Deçanit, ka thënë se ndien “keqardhje”.

Ai është shprehur se kjo shumë, e cila do të ndahet për qytetarët e qytetit të Deçanit, do t’i ndihmojë së paku të blejnë ndonjë medikament.

“Ne jemi me ju në këto momente, estrada, qytetarët e diaspora, dhe gjatë ditës së enjte do të ndaj dy mijë euro për të prekurit ku së paku të kenë mundësi për të blerë ndonjë medikament!”, ka shkruar Tahiri.

Humanisti Tahiri ka shkruar se për fillim këto janë mundësitë, të cilat mund t’u ofrojë ai. Ai ka thënë se “nuk jam ministri e as milioner!”

Ai ka bërë thirrje të mos kritikohet Qeveria aktuale lidhur me ngjarjen në Deçan.

“Në këto raste unë nuk e ndiej politikën, por jetën e njerëzve. Kështu që nuk ka vend as për kritika ndaj Qeverisë e as askujt se këto raste ndodhin dhe kanë mundur të ndodhin edhe në Ferizaj e Prishtinë”, ka përfunduar Tahiri.

Në të njëjtën kohë, në ndihmë për qytetarët e Deçanit ka dalë edhe pronari i koorporatës “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kelmendi është shprehur se, duke bashkëpunuar, mund të ofrohet edhe mbështetja.

“Në bashkëpunim me Shtabin Emergjent të komunës, fillimisht mbështesim me një maune ujë të pijes, në varësi të nevojave dhe  gjendjes së qytetarëve mbështetja do të vazhdojë”, ka thënë Kelmendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore