Lajme

Qytetarët maqedonas këtë të diel janë drejtuar qendrave të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale


Ilustrim

Gjatë ditës së diel në Maqedoninë e Veriut po mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve të shtata lokale që nga pavarësia e vendit.

Balotazhi i cili po zhvillohet në 44 nga gjithsej 80 komuna sa ka Maqedonia e Veriut të drejtë vote në 2 mijë 481 qendra votimi kanë një milionë 353 mijë e 990 votues.

Votimi për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjat deri në orën 19:00.

Deri më tash nuk është raportuar për ndonjë parregullsi evidente.

Në raundin e parë u zgjodhën 32 kryetarë komunash, si dhe anëtarë të këshillave të komunave.

Më së shumti komuna në fazën e parë kishte fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO-DPMNE-ja, gjithsej 22.

Ndërsa Partia e drejtuar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Lidhja Social-Demokrate (LSDM) ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tre komuna ka korrur fitore Partia Bashkimi Demokratik për Integrim.

Në Balotazh LSDM-ja e Kryeministrit Zaev po garon në 30 komuna ndërsa VMRO-DPMNE në 25 komuna.

Në anën tjetër Bashkimi Demokratik për Integrim e cila është partia më e madhe politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe partia e tretë më e madhe politike në vend është duke garuar në 13 komuna në raundin e dytë ndërsa Aleanca për Shqiptarët në shtatë komuna, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Për herë të parë këtë vit, Në Maqedoninë e Veriut votuesit po identifikohen me pajisje biometrike të identifikimit të gjurmëve të gishtave. Këto pajisje përmbajnë vetëm të dhënat personale të votuesve nga Lista zgjedhore në vendvotim.

Përjashtim nga votimi me aparate identifikimi biometrike bëjnë personat që kanë votuar dje – të sëmurët, të pafuqishmit, personat me Covid-19 dhe të izoluar, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet komunale zgjedhore. Të burgosurit, të paraburgosurit, shtëpitë e të moshuarve dhe personat e zhvendosur brenda vendit votuan gjithashtu dje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore